Në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK realizohen dy operacione të rralla me teknikën e neuroendoskopisë
Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka realizuar për herë të parë me sukses ndërhyrje neurokirurgjikale me teknikën e neuroendoskopisë, një metodë moderne dhe minimalisht invazive që përdoret në kirurgjinë e trurit.
Sipas njoftimit të QKUK-së, ndërhyrjet janë realizuar më 6 dhe 7 korrik, në bashkëpunim me neurokirurgun nga Gjermania, dr. Gousias Konstantinos, i cili së bashku me ekipin e Klinikës së Neurokirurgjisë ka udhëhequr realizimin e këtyre procedurave të avancuara.
Gjatë kësaj vizite janë kryer me sukses dy ndërhyrje të avancuara kirurgjikale: heqja e një tumori të hipofizës përmes qasjes neuroendoskopike dhe heqja e një tumori të ventrikulit të tretë të trurit, po ashtu përmes teknikës së neuroendoskopisë.
Në të dy operacionet është përdorur edhe neuronavigatori, një pajisje moderne që mundëson orientim të saktë anatomik gjatë ndërhyrjes. Sipas QKUK-së, përdorimi i kësaj teknologjie rrit sigurinë e procedurës dhe mundëson realizimin e operacioneve me precizion të lartë, në përputhje me standardet bashkëkohore të neurokirurgjisë.
Sipas Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), të dy pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdojnë trajtimin dhe rikuperimin sipas planit të përcaktuar nga ekipi mjekësor.
Përveç rëndësisë klinike, vizita e specialistit nga Gjermania ka pasur edhe rëndësi profesionale dhe edukative për stafin e Klinikës së Neurokirurgjisë. Gjatë realizimit të procedurave, neurokirurgët, anesteziologët, infermierët instrumentarë dhe personeli i sallës operative kanë marrë pjesë në trajnim praktik, duke përfituar njohuri dhe përvojë të drejtpërdrejtë në zbatimin e teknikave moderne të neuroendoskopisë dhe përdorimin e neuronavigatorit.



