Kurti i bindur se me pakicat mund ta bëjë qeverinë: Kemi më shumë se 61 deputetë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se i ka numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë së re. Prandaj, ai ka marrë përgjegjësinë e plotë për formimin e këtij institucioni, duke shtuar se nuk ka asnjë mëdyshje për votat e deputetëve nga pakicat joserbe, me të cilët ka bashkëpunuar edhe në të kaluarën.
Ai është shprehur se, bashkë me ta, e kalon numrin e nevojshëm të deputetëve për votimin e Qeverisë.
“Por, gjithashtu edhe partitë e pakicave që kanë qenë në të kaluarën bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, ne s’kemi asnjë arsye për të besuar se nuk do të jetë sërish njësoj. Kështu që jo vetëm që kemi 53 deputetë si Lëvizje Vetëvendosje, por njëkohësisht i kemi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Republikës, madje kemi më shumë se edhe 61, që është minimumi i nevojshëm”, ka deklaruar Kurti.
Megjithatë, Kurti nuk ka treguar nëse, pas konstituimit të Kuvendit, do të procedojë menjëherë me zgjedhjen e qeverisë.
“Ne jemi të interesuar që t’i japim kohë diskutimeve, konsultimeve, që legjislatura të ketë jo vetëm kryetar dhe qeveri, por edhe president”, është shprehur Kurti sot para gazetarëve, pas takimit që pati me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Kurti ka theksuar se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, nuk e ka e vetme përgjegjësinë për gjetjen e një zgjidhjeje për Presidentin.
“Për qeverisje, përgjegjësia bie mbi ne, por për zgjedhjen e presidentit të gjithë kemi përgjegjësi”, ka deklaruar ai.
Sa i përket çështjes së Presidentit, Kurti është shprehur se nuk e ka ndryshuar qëndrimin. Ai ka theksuar se Kushtetuta kërkon një figurë që “s’është i asnjë partie politike, dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale”.
Para zgjedhjeve, Kurti e kishte propozuar Feride Rushitin si një figurë të tillë konsensuale.



