KMDLNj: Po vijnë “kriminelët” e Albulenës!
Sipas një njoftimi të Shërbimit Korrektues të Kosovës drejtuar publikut dhe Odës së Avokatëve të Kosovës, ka filluar zhvendosja e personave të paraburgosur dhe të dënuar nga qendra e paraburgimit në Gjilan në burgje tjera anekënd Kosovës. Kjo bëhet sipas një marrëveshjeje të nënshkruar midis Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës (nga një ministre e papërgjegjshme dhe pa integritet profesional) dhe homologut të saj nga Mbretëria e Danimarkës e cila e përligj trafikimin me qenie njerëzore (të privuar nga liria) sikur në kohën e shitblerjes së robërve. Një shtet normal nuk do të pranonte që brenda sovranitetit territorial dhe juridik të zbatojë dy ligje për ekzekutim të sanksioneve penale, ai i Kosovës dhe i mbretërisë së Danimarkës.
Një shtet normal nuk do të lejonte diskriminimin në bazë të racës, përkatësisë nacionale, besimit fetar dhe statusit shoqëror sikur që e përligj kjo Marrëveshje, thellë raciste dhe në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut, në përgjithësi dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut, në veçanti. “Kriminelët” e Albulenës që do të importohen nga Danimarka nuk janë danezë por shtetas të vendeve të treta dhe ata sillen në Kosovë në kundërshtim me vullnetin e tyre dhe dhunshëm. As Kosova nuk i pretë me dëshirë, asgjë nuk i duhen sepse vetëm do të shkaktojnë probleme, të sigurisë, në radhë të parë. Në kohën e regjimit jugosllav, të burgosurit shqiptarë, politikë dhe jopolitikë degdiseshin anekënd Jugosllavisë për t’ua bërë sa më të rëndë burgun dhe sa më të rralla vizitat. Kështu u veprua edhe në kohën e sundimit të Albin Kurtit, të burgosurit shqiptarë po degëdisen cep më cep Kosovës për t’ua bërë sa më të rënda dhe më të kushtueshme vizitat familjare duke ua shkatërruar mjedisin dhe shëndetin social. E njëjta gjë ndodhë me fatkeqët nga Danimarka. Nuk është njëjtë sikur të vizitohen nga familje nga një largësi maksimalisht 20 km. sikur kur vizitohen në burgje tjera me një largësi mbi 100 km., as materialisht e as fizikisht. “Kriminelët” e Albulenës, të blerë nga kjo në afatin 10 vjeçar për 200 milionë euro do të kenë kushte pakrahasimisht më të mira se të burgosurit kosovarë dhe shumica e familjeve kosovare. Pse duhet të pranohet ky pazar i pamoralshëm dhe trajtim degradues duke diskriminuar të burgosurit në Kosovë që, pa asnjë dyshim janë të burgosurit më social në Ballkan dhe jo vetëm në Ballkan. Me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova po bënë shkelje flagrante të drejtave të njeriut të dy palëve; “kriminelëve” të Albulenës që kundër vullnetit të tyre dhe dhunshëm po transferohen në Kosovë dhe të burgosurve kosovarë që po diskriminohen duke mos u trajtuar njëjtë brenda një territori dhe juridiksioni.
Familjarët e të burgosurve kosovarë duhet të kundërshtojnë transferimin e të burgosurve larg vendeve ku jetojnë kurse të burgosurit kosovarë duhet të kërkojnë trajtim të njëjtë me ata që do të vijnë nga Danimarka. As më shumë e as më pak.
KMDLNj e kundërshton këtë diskriminim të të burgosurve kosovarë dhe 100 për qind është në mbrojtje të drejtave të tyre.
KMDLNj vlerëson se ky është fillimi i dobësimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës që, deri më tani ka qenë i suksesshëm dhe profesional por se është vënë në shërbim të politikës ditore e cila nuk merr vesh asgjë për natyrën e punës dhe rëndësinë e SHKK-së.
*Ky reagim i KMDLNj-së është publikuar i plotë, pa ndërhyrje.



