Protesta në Tiranë vijon për të 43-tën ditë para Kryeministrisë
Në kryeqytetin e Shqipërisë ka vijuar për të 43-tën ditë radhazi protesta e qytetarëve, e cila nisi kundër investimit në Zvërnec dhe në vijim u publikuan edhe kërkesa të tjera nga nismëtarët.
Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Me pankarta në duar, ata ripërsëritën kërkesat për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura. Protestuesit përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për ndryshimin e klasës politike, ndërsa folësit shprehën qëndrimet e tyre lidhur me zhvillimet politike dhe sociale në vend. Aktivistja Luçiana Kokaj, në fjalën e saj para protestuesve te Kryeministria, i përgëzoi për qëndresën e tyre 43-ditore.
“Çfarë janë 43 ditë për të fituar të drejtat tona? Nuk ka verë, nuk ka Botëror, nuk ka pushime verore që i largojnë shqiptarët nga sheshi. Ju bëj thirrje që të jeni çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më të bashkuar. Shqipëria ka nevojë për ne. Qeveria na ka sulmuar që ditën e parë duke na quajtur agjentë të ndryshëm, duke u munduar të intimidojë familjarët tanë, por asnjë nga manovrat e tyre nuk na devijon për të mbrojtur familjen tonë”, tha Kokaj.
Protestës iu bashkua edhe një turist nga Suedia, i cili tha se “jam i lodhur nga korrupsioni, nga politikanët e uritur për para që duan t’ju vjedhin. Ju jeni mazhoranca, ata janë minoranca. Është koha që ju të merrni në dorë fatet tuaja”.
Ferit Toma, me profesion mësues, tha se “kam edukuar breza të tërë dhe më vjen mirë kur i shoh këtu në protestë. Ky është shpërblimi më i madh i jetës sime. Ju ftoj të qëndroni besnikë ndaj të vërtetës, drejtësisë dhe dashurisë për vendin tonë. Shqipëria ka nevojë për të rinj që të mendojnë, ndërtojnë dhe flasin me përgjegjësi. Ju mbani shpresën gjallë”.
Një protestues tha se “kam dalë në protestë për fëmijët e mi, sepse dua t’i rris në Shqipëri. Nuk dua të marrim rrugët e botës. Vetëm për të drejtat tona dhe të kombit tonë, ndaj kam dalë sot në protestë”.
Një tjetër protestuese u shpreh se “sot është vetëm dita e tretë që vij në protestë me mijëra motra e vëllezër. Jam pjesë e diasporës që ka 36 vite që ulëret: ‘Kur do të bëhet kjo Shqipëri?’. Të ikësh nëpër botë për të mbijetuar është e vështirë, por sa kurajo duhet që të rrish këtu për të mbrojtur tokën tënde?”. atsh/



