Labi njofton se janë mbledhur paratë për ish-ushtarin e UÇK-së, Gani Kocin

14 korrik 2026 | 08:43

Këngëtari Labinot Tahiri ka bërë të ditur se janë siguruar të gjitha mjetet financiare të nevojshme për trajtimin e ish-ushtarit të UÇK-së dhe ish-të burgosurit politik, Gani Koci.

Vetëm një ditë pasi nisi apelin publik dhe fushatën për mbledhjen e ndihmave, Tahiri njoftoi se janë grumbulluar më shumë se 50 mijë euro për Kocin.

“Dua të ju falënderoj dhe t’ua jap lajmin e mirë që në mëngjes se paratë për bacën Gani u mblodhën të gjitha. Zot, faleminderit”, shkroi ai.

Tahiri falënderoi veçanërisht diasporën shqiptare, duke theksuar se ajo ka qenë shtylla kryesore e solidaritetit ndër vite.

“Diaspora ime e pandalshme dhe e pathyer politikisht, kombëtarisht dhe shpirtërisht për atdhe; faleminderit pa fund që kontribuat tani e 60 vite pa u ndalur”, u shpreh ai.

Ai falënderoi edhe qytetarët në Kosovë dhe trojet shqiptare për mbështetjen, duke vlerësuar solidaritetin e tyre pavarësisht vështirësive me të cilat përballen.

Në reagimin e tij, Tahiri tha se përmes nismave humanitare janë ndihmuar qindra familje ndër vite.

“A e dini se vetëm me mua ju keni shpëtuar mbi 500, 1000 e më shumë jetë, ku ne ua kemi siguruar paratë familjeve”, shkroi ai.

Në fund, ai i uroi shërim të shpejtë Gani Kocit, duke theksuar se veteranët e luftës meritojnë mbështetje për sakrificën që kanë bërë.

“Baca Gani, të uroj shërim të shpejtë dhe qofsh me jetë të gjatë. E di që sot i kemi bërë krenar të gjithë veteranët me këtë lajm, sepse dje në luftë ju dhe shokët sakrifikuat për mua dhe për dy milionë shqiptarë në Kosovë. Tani unë jam në shërbimin tënd dhe të gjithë vendit”, përfundoi Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Parathënia e veprës së Daut Dautit, Nëpër gjethe kujtimesh Nga: Agron…