Shpronësimi në Shipitullë, Thaçi intervistohet në Prokurorinë Speciale: Ma përgatitën rivalët politikë

15 korrik 2026 | 11:40

Kryetari i Komunës së Obiliqit, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, të mërkurën është intervistuar nga Prokuroria Speciale.

Ai është intervistuar lidhur me hetimet që po zhvillohen për shpronësimet në Shipitullë.

Pas përfundimit të intervistimit, Thaçi tha para medieve se është ftuar në cilësinë e dëshmitarit.

Ai tha se për çdo çështje do t’i përgjigjet prokurorit. “Kurrë asnjëherë nuk do të shantazhohem, e as nuk do të kërcënohem. Kjo është një temë e përgatitur moti prej rivalëve të mi politikë që gjoja më kanë përfshirë në rastin e shpronësimeve në fshatin Shipitullë. Jam shumë i kënaqur që prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe i bëj thirrje prokurorisë që ta hetojë deri në fund këtë çështje. Unë i kam bërë thirrje edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm në ato pjesë”, tha ai.

Tutje, kryetari i komunës së Obiliqit tha se do të vazhdojë t’i vë në pah problemet e qytetarëve dhe sipas tij, banorët e fshatit Shipitull dhe Hadë janë të diskriminuar dhe anashkaluar. “Gjendja e tyre për jetë është e pamundur atje…”, tha ai.

I pyetur se në çfarë cilësie është ftuar në prokurori, ai tha “si dëshmitar ata natyrisht që më pyetën për çdo gjë. Dhe për çkado që di do t’i përgjigjem prokurorisë”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FIFA do të presë deri në përfundimin e Kupës së…