Këshilli Gjyqësor thekson rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me EULEX-in për sundimin e ligjit
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi, priti në takim njoftues ushtruesen e detyrës së shefit të EULEX-it, Emily Rakhorst, e cila shoqërohej nga Giovanni Galzignato, shef i Komponentit të Drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues, Hubert van Eck Koster, shef i Njësisë për Monitorimin e Rasteve, si dhe Valentina Vitali, këshilltare për të Drejtat e Njeriut.
Me këtë rast, Rakhorst e uroi kryesuesin Thaqi për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e mandatit të tij.
Ajo njëherësh ritheksoi përkushtimin e EULEX-it për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen ndaj sistemit gjyqësor të Kosovës, në përputhje me mandatin e misionit.
Nga ana e tij, kryesuesi Thaqi e falënderoi Rakhorstin për vizitën dhe urimin, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe EULEX-it.
Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi në funksion të forcimit të sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit dhe avancimit të efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në sistemin gjyqësor, sfidat me të cilat përballet ai, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.



