BE-ja pritet të humbasë mbi 50 milionë banorë deri në fund të shekullit

16 korrik 2026 | 13:57

Popullsia e Bashkimit Evropian ka arritur kulmin dhe në dekadat e ardhshme pritet të hyjë në një trajektore rënieje, bëri të ditur komisionerja evropiane për Mesdheun, Dubravka Suica.

Sipas saj, Bashkimi Evropian numëron aktualisht 450.6 milionë banorë, por ky numër parashikohet të bjerë në rreth 445 milionë deri në vitin 2050 dhe në 398.8 milionë deri në vitin 2100.

Kjo do të përfaqësonte një rënie prej 11.7 për qind, duke e rikthyer popullsinë e bllokut në nivelet e viteve 1970.

Suica paralajmëroi se ndryshimet demografike do të kenë pasoja të rëndësishme për ekonominë evropiane.

Sipas saj, Bashkimi Evropian do të përballet me mungesë të fuqisë punëtore, presion në rritje mbi buxhetet publike, si dhe kërkesa gjithnjë e më të mëdha për shërbimet shëndetësore, arsimin dhe sistemet e formimit profesional.

Komisionerja vuri në dukje edhe rritjen e vazhdueshme të jetëgjatësisë në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas projeksioneve, deri në vitin 2050, pothuajse një në tre qytetarë të BE-së do të jetë mbi moshën 65 vjeç, ndërsa aktualisht ky raport është një në pesë.

Suica tha gjithashtu se deri në fund të shekullit jetëgjatësia mesatare mund të kalojë 90 vjet për gratë dhe 86 vjet për burrat.

Ajo shtoi se një fëmijë i lindur në Bashkimin Evropian në vitin 2023 pritet të jetojë pa sëmundje serioze deri në moshën 75.3 vjeç.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në selinë e Lidhja Demokratike e Kosovës po mbahet një…