Nagavci: Nuk ka unitet për Vjosa Osmanin si kandidate konsensuale
Për Lëvizjen Vetëvendosje, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidente, Vjosa Osmani, nuk është kandidate konsensuale për presidente e ardhshme të vendit.
Kështu ka deklaruar për “Radio Dukagjinin” deputetja e zgjedhur e LV-së, Arbërie Nagavci, e cila është e bindur se Kosova ka kandidatë të cilët do të ishin të denjë për këtë pozitë.
“Është e qartë se çka nënkupton për një kandidat, kandidate konsensuale. Pra, është diçka që duhet të jetë një person që nuk vjen nga skena aktuale politike. Ndërkohë, ne kemi rezultatin e zgjedhjeve të qershorit, qytetarët e thanë fjalën e tyre për të gjithë kandidatët që morën pjesë në zgjedhje. Dhe unë mendoj se është mirë që të respektohet edhe vullneti i qytetarëve, krahas përgjegjësive që neve na kanë besuar në zgjedhjet e fundit. Por, njëkohësisht, konsideroj që zhvillimet e fundit që kanë ndodhur janë tregues që nuk ka një unitet në raport me kandidatin apo kandidaten konsensuale, në këtë rast me zonjën Osmani. Kështu që konsideroj se ka akoma kohë edhe vend për diskutime, në mënyrë që vendi t’i ofrohet një president, presidente konsensuale dhe, krahas kohës edhe mundësisë, unë jam e bindur se Kosova ka kandidatë të cilët do të ishin të denjë për këtë pozitë të rëndësishme institucionale”, është shprehur Nagavci.
Sipas Nagavcit, Lëvizja Vetëvendosje ka emra konsensualë për presidentin/presidenten e ardhshme të vendit, por ajo beson se emri i presidentit/presidentes duhet të dalë nga negociatat me partitë që do të jenë pjesë e votimit.
“Gjithsesi se ka emra, por në këtë fazë në të cilën jemi, kjo do të duhej të ishte një proces i një diskutimi, negocimi dhe një pajtueshmërie të plotë të deputetëve, partive, gjegjësisht deputetëve të cilët do të jenë pjesë e procesit të votimit”, ka theksuar ajo.
Ish-shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka përsëritur se çështja e presidentit është përgjegjësi e të gjitha partive politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Në mungesë të një marrëveshjeje politike për çështjen e presidentit, Kosova shkoi në zgjedhjet të cilat u mbajtën më 7 qershor, ku e para doli Lëvizja Vetëvendosje.



