KPK-ja dhe Avokati i Popullit pajtohen për forcimin e bashkëpunimit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut
Në frymën e bashkëpunimit institucional dhe të dialogut të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe mekanizmave kushtetues për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, së bashku me anëtarët e KPK-së, Milot Krasniqi dhe Arlinda Muqa, si dhe drejtorin e përgjithshëm të sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, ka pritur në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, dhe zëvendësavokatin e Popullit, Basri Kastrati, me bashkëpunëtorë.
Fillimisht, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, ka shprehur përkushtimin e KPK-së për thellimin e bashkëpunimit me Institucionin e Avokatit të Popullit, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të rregullt institucional, shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit në çështjet që ndërlidhen me kompetencat dhe përgjegjësitë e institucioneve përkatëse, si dhe rëndësinë e respektimit dhe garantimit të të drejtave të njeriut në kuadër të procedurave penale dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, që përbën një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe të funksionimit të drejtë, të paanshëm dhe efektiv të sistemit të drejtësisë.
“Nevoja për zbatimin e vazhdueshëm dhe të plotë të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në të gjitha fazat e procedurave penale, në përputhje me parimet e ligjshmërisë, proporcionalitetit, paanshmërisë dhe garantimit të procesit të rregullt ligjor, është përgjegjësi dhe domosdoshmëri e institucioneve të drejtësisë në përgjithësi dhe, në veçanti, e sistemit prokurorial”, ka thënë me këtë rast Gashi.
Nga ana tjetër, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka theksuar gatishmërinë e Institucionit të Avokatit të Popullit për të vijuar dhe avancuar bashkëpunimin institucional me Këshillin Prokurorial të Kosovës, veçanërisht në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe forcimin e mekanizmave institucionalë për garantimin e tyre.
Në përmbyllje të takimit, Gashi dhe Qelaj janë pajtuar për vazhdimin e komunikimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, në kuadër të kompetencave ligjore dhe kushtetuese të institucioneve përkatëse, me synim avancimin e sundimit të ligjit, forcimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe konsolidimin e mëtejshëm të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.



