Vrasja e rreshterit Muhamet Lika, prokuroria: Vrasja ishte e planifikuar dhe e koordinuar

23 korrik 2026 | 12:16

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka nisur seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.

Në fillim të seancës, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u ngarkohen, ndërsa më pas procesi ka vazhduar me fjalët hyrëse të palëve.

Prokurori i rastit, Ismet Rrahmani, ka deklaruar se Prokuroria do të dëshmojë përmes videoincizimeve, dëshmive të dëshmitarëve dhe provave të tjera materiale se vrasja e rreshterit Lika ishte rezultat i një plani të mirëorganizuar dhe i bashkëveprimit të të gjithë të pandehurve.

Sipas tij, provat do të tregojnë se secili prej të akuzuarve kishte një rol të caktuar në realizimin e veprës penale dhe se veprimet e tyre nuk ishin të rastësishme.

“Duke u bazuar në videoincizimet, do të vërtetohet se të pandehurit, në bashkëkryerje dhe duke ndërmarrë veprime të caktuara, kanë qenë pjesëmarrës duke e ndihmuar të miturin Rejhan Bela. Koordinimi, lëvizjet dhe veprimet e secilit të pandehur dëshmojnë se nuk bëhej fjalë për rastësi, por për një plan të parapërgatitur që kishte për qëllim vrasjen e rreshterit Muhamet Lika”, është shprehur prokurori.

Ai ka shtuar se dëshmitë e banorëve të objektit ku ndodhi krimi, dëshmitarëve të tjerë, si dhe pamjet e kamerave të sigurisë, do të mbështesin pretendimet e Prokurorisë lidhur me mënyrën se si është organizuar dhe kryer vrasja.

Sipas prokurorit, videoincizimet tregojnë se Haki Bela kishte përcjellë lëvizjet e rreshterit Lika që nga dalja e tij nga stacioni policor dhe ishte rikthyer në afërsi të vendit të ngjarjes pak minuta pas vrasjes.

Ndërkaq, për Rilind Muratin është deklaruar se është parë duke u larguar së bashku me të miturin Rejhan Bela pas kryerjes së krimit, ndërsa Vatan Çaka, sipas Prokurorisë, është parë në shoqërinë e tyre duke vëzhguar vendin e ngjarjes para se të ndodhte vrasja.

Prokurori ka pretenduar gjithashtu se Edmond Lika dhe Shkëlqim Kuka kishin përcjellë lëvizjet e viktimës nga stacioni policor deri në afërsi të banesës së tij, duke lëvizur me automjete të ndryshme drejt vendit ku u krye vrasja.

Sa i përket të akuzuarit Diamant Gashi, prokuroria pretendon se ai ka ndihmuar të miturin Rejhan Bela pas kryerjes së veprës, duke e strehuar dhe furnizuar me ushqim dhe gjësende të tjera. Sipas Prokurorisë, kjo është vërtetuar edhe përmes përgjimeve telefonike.

Prokurori Rrahmani ka theksuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të paraqiten videoincizime, fotografi, dëshmi të dëshmitarëve, raporti i autopsisë, predha të sekuestruara dhe prova të tjera materiale, të cilat, sipas tij, dëshmojnë se rreshteri Muhamet Lika ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka falënderuar këngëtarin Yll Limani…