Gjykata dënon me 4 muaj burgim dhe 70 euro gjobë Eqrem Avdullahun për kërcënimin e Hysni Gucatit
Gjykata Themelore në Drenas ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun nga Rahoveci, i cili akuzohet për veprën penale “kanosje” ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit.
Në seancën përfundimtare, gjyqtari ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar gjithashtu me 70 euro gjobë, ndërsa palët kanë të drejtë të ankohen ndaj këtij vendimi.
Sipas Prokurorisë, Avdullahu kishte kërcënuar përmes rrjetit social Facebook kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 3 qershor 2026, rreth orës 13:10, i pandehuri Eqrem Avdullahu, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka kanosur seriozisht Hysni Gucatin, duke i shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën.
Në aktakuzë është bërë e ditur se në një faqe në Facebook me emrin “Diaspora në Krye” ishte publikuar një fotografi e Hysni Gucatit me mbishkrimin: “Prokuroria heton Hysni Gucatin – mori rrogë për 19 vite si sekretar shkolle pa shkuar në punë”.
Sipas Prokurorisë, më pas i pandehuri, përmes profilit të tij personal në Facebook me emrin “Eqrem Avdullahu”, kishte komentuar: “Këtë derr duhet pushkatu”.
Avdullahu është dënuar me katër muaj burgim dhe me 70 euro gjobë. /Kosovapress



