Komuna e Ferizajt nuk lejon mbylljen e Universitetit!
Lajmi i ditëve të fundit, i konfirmuar edhe nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, se përmes Qarkores Buxhetore për vitin 2027 (kufijtë buxhetorë për vitet 2027, 2028 dhe 2029) nuk është paraparë financimi i këtij universiteti nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përkatësisht nga Ministria e Financave, është i papranueshëm dhe thellësisht shqetësues.
Një vendimmarrje e tillë përbën jo vetëm shkelje të parimeve të funksionimit institucional, por edhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj arsimit të lartë publik në Ferizaj. Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj u themelua falë përkushtimit të jashtëzakonshëm të profesorëve, stafit dhe mbështetjes së qytetarëve, duke u shndërruar ndër vite në një institucion të respektuar akademik, me rezultate të dëshmuara brenda dhe jashtë vendit.
Mungesa e planifikimit buxhetor për këtë universitet është një precedent i rrezikshëm që rrezikon funksionimin e tij, u mbyll dyert mijëra studentëve aktualë dhe të ardhshëm dhe i mohon Ferizajt mundësinë për të zhvilluar më tej potencialin e tij akademik, ekonomik dhe profesional.
Është e papranueshme që qyteti i Ferizajt, një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike të Kosovës, të mbetet pa universitet publik. Një veprim i tillë dëmton jo vetëm studentët dhe stafin akademik, por edhe zhvillimin afatgjatë të rajonit dhe të gjithë vendit.
Komuna e Ferizajt kërkon urgjentisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministria e Financave që të rishqyrtojnë këtë vendim dhe të sigurojnë përfshirjen e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në planifikimin buxhetor për vitin 2027 dhe vitet në vijim, në mënyrë që ky institucion të vazhdojë të funksionojë normalisht dhe të përmbushë misionin e tij në shërbim të arsimit, dijes dhe zhvillimit të vendit.
Ferizaj nuk do të lejojë mbylljen e Universitetit. Ferizaj nuk do të heshtë përballë cenimit të një prej institucioneve më të rëndësishme të arsimit të lartë në vend. Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj është investim i qytetarëve, i studentëve dhe i së ardhmes së Kosovës. Mbrojtja e tij është obligim institucional dhe qytetar.



