Aktakuza ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt konfirmohet edhe nga Apeli
Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke refuzuar ankesat e mbrojtjes së Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt për kundërshtimin e provave dhe hedhjen poshtë të aktakuzës për korrupsion.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Mujka, si ish-nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, dhe Muzliukaj, si ish-drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me këmbimin e pronës së ish-Bankosit me pronë private.
Mujka akuzohet edhe për mosdeklarim të 60 mijë e 50 eurove që iu sekuestruan në shtëpi, gjatë kohës sa ishte kryeshef ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”.
Siç raporton Betimi për Drejtësi, Apeli vlerësoi se aktakuza mbështetet në prova të mjaftueshme për të vazhduar procedura penale dhe se pretendimet e mbrojtjes do të shqyrtohen gjatë gjykimit, kur do të vendoset për fajësinë ose pafajësinë e të akuzuarve.
Vendimi i Apelit është marrë më 20 shkurt 2026, ndërsa të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 20 tetor 2025.



