Anëtarja e Bordit të Këshilltarëve të Presidentes së KE-së: Po angazhohem për rezultate konkrete të Kosovës në disa programe evropiane
Donika Zogu, përfaqësuese e Kosovës në Bordin Këshillues për Rini të Presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen, ka vazhduar angazhimin e saj gjatë kësaj jave në Bruksel.
Ajo ka marrë pjesë në një platformë ku janë diskutuar prioritetet strategjike të Bashkimit Evropian dhe politikat që do të ndikojnë në zhvillimet e ardhshme evropiane.
Në profilin e saj në Facebook, Zogu ka shkruar se përfaqësimi i Kosovës në këtë Bord është një përgjegjësi e veçantë, duke shtuar se çdo diskutim është një mundësi për të ngritur çështje me rëndësi për Kosovën.
Ajo ka bërë me dje se në takime fokusi ishte tek disa nga çështjet më të rëndësishme për të ardhmen e Evropës duke i rënditur ato si më poshtë.
“Në takime kryesisht fokusi ishte tek disa nga çështjet më të rëndësishme për të ardhmen e Evropës: 🇪🇺 Zgjerimi i përfshirjes së Kosovës në programet evropiane. Një nga prioritetet që vazhdoj ta adresoj është krijimi i mundësive konkrete që Kosova të ketë një qasje më të avancuar në programin Erasmus+. Duke marrë parasysh zhvillimet e reja në nivel evropian, përfshirë rikthimin e Mbretërisë së Bashkuar në program pas Brexit-it, është e rëndësishme të shqyrtohen modele të reja që do t’i mundësonin Kosovës jo vetëm pjesëmarrje dhe partneritete, por edhe qasje më të madhe në mundësitë financiare të këtij programi. Aktualisht, Kosova funksionon përmes National Erasmus+ Office, pa një National Agency, prandaj mbetet e domosdoshme të gjenden zgjidhje të përshtatshme për një përfshirje më të plotë”, ka shkruar ajo.



