Haradinaj: Varreza masive në Kalludër kërkon hetim serioz, Serbia të hapë arkivat ushtarake

29 korrik 2026 | 21:23

Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas gjetjes së mbetjeve mortore dhe veshmbathjeve në fshatin Kalludër të Zubin Putout, duke e cilësuar çështjen e personave të pagjetur si plagën më të madhe të shoqërisë kosovare.

Haradinaj tha se zbardhja e fatit të të zhdukurve gjatë luftës mbetet një detyrë kombëtare dhe kërkoi hetim serioz për rastin në Kalludër.

“Të pagjeturit janë plaga më e madhe e shoqërisë sonë. Zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit është detyrë e jona kombëtare. Varreza masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut kërkon hetim serioz, profesional dhe angazhim të pandalshëm për të detyruar Serbinë që të hapë arkivat ushtarake dhe të tregojë vendndodhjen e trupave.

Nuk mund të ketë paqe të plotë pa u zbardhur fati i secilit të zhdukur. Në çdo tryezë diskutimi kjo duhet të jetë tema kryesore për t’ia rikujtuar Serbisë krimet e saj, duke kërkuar me vendosmëri drejtësi për viktimat dhe përgjigje për familjet që presin prej vitesh”, ka shkruar Haradinaj.

Të martën, në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, janë gjetur mbetje mortore dhe veshmbathje që dyshohet se iu përkasin 23 intelektualëve të zhdukur nga Mitrovica gjatë luftës. Në lidhje me këtë rast, autoritetet kanë arrestuar dy persona, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Domen të Postribës,…