Pacolli apel institucioneve shqiptare për garantimin e sundimit të ligjit në Aeroportin e Vlorës
Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me situatën në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke e cilësuar atë si një cenim të shtetit të së drejtës dhe një kërcënim për një investim strategjik në Shqipëri.
Pacolli ka deklaruar se projekti po mbahet peng nga veprime të kundërligjshme, ndërsa ka kërkuar nga institucionet shqiptare që të ndërhyjnë për rikthimin e rendit ligjor dhe mbrojtjen e investimit të kompanisë zvicerane Mabco.
Ai ka bërë thirrje për hetime të plota dhe transparente nga institucionet përgjegjëse, duke paralajmëruar se vonesat po shkaktojnë dëme financiare dhe reputacionale për projektin dhe Shqipërinë si destinacion investimesh.
Postimi i plotë:
Ajo që po ndodh sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës është një situatë jashtë çdo standardi të shtetit të së drejtës. Është e vështirë të gjendet një precedent ku një investim strategjik i këtij niveli të mbahet peng për muaj të tërë nga persona që veprojnë në kundërshtim me ligjin, ndërsa institucionet përgjegjëse vazhdojnë të mos ndërhyjnë për të rivendosur rendin ligjor.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës vazhdon të mbahet peng nga persona që, në kundërshtim me ligjin dhe me parimet themelore të shtetit të së drejtës, po veprojnë përmes vetëgjyqësisë.
Po rrezikohet seriozisht një nga projektet më të rëndësishme të partneritetit publik-privat (PPP) në Shqipëri, ku, në bazë të një kontrate të rregullt koncesionare, kompania zvicerane Mabco ka investuar qindra milionë euro. Si pasojë e kësaj situate, dëmet financiare, teknike, ekonomike dhe reputacionale po shtohen nga dita në ditë.
Pavarësisht faktit se Gjykata e Lartë i ka dhënë të drejtë Mabco-s në të gjitha çështjet e shqyrtuara, si dhe pavarësisht dhjetëra denoncimeve dhe kallëzimeve të paraqitura pranë institucioneve kompetente, deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë veprim efektiv për rikthimin e ligjshmërisë. Përkundrazi, gjendja vazhdon të përkeqësohet. Kjo mungesë reagimi ngre shqetësime serioze dhe krijon dyshime të arsyeshme për ndikime të papërshtatshme në proceset gjyqësore dhe në funksionimin e organeve të drejtësisë.
Në vazhdën e përpjekjeve të saj për të kërkuar vetëm zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të investitorit, Mabco i bën edhe një herë thirrje SPAK-ut, Prokurorisë dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që të fillojnë pa vonesë hetime të plota, të pavarura dhe transparente; të verifikojnë çdo ndërhyrje të paligjshme; të identifikojnë përgjegjësit; të përcaktojnë përgjegjësitë penale dhe institucionale; si dhe të marrin masat e nevojshme për rikthimin e menjëhershëm të rendit ligjor.
Aeroporti i Vlorës nuk mund të vazhdojë të mbahet peng nga interesa të paligjshme, ndërkohë që institucionet heshtin dhe një investim strategjik për Shqipërinë dëmtohet çdo ditë para syve të opinionit publik. Sundimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv dhe as i kushtëzuar nga interesa të ngushta.
Kërkojmë rikthimin e menjëhershëm të ligjshmërisë, garantimin e të drejtave të investitorit dhe mbrojtjen e një pasurie të krijuar me qindra milionë euro investime. Çdo ditë vonesë sjell dëme të reja për projektin, për investitorin, për ekonominë shqiptare dhe për besueshmërinë e Shqipërisë si destinacion për investime të huaja.
Drejtësia duhet të veprojë tani – me profesionalizëm, pavarësi dhe vendosmëri. Heshtja institucionale nuk mund të jetë përgjigjja ndaj një situate që cenon rëndë ligjin, interesin publik dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.



