Fisnik Asllani sërish në listën e Barcelonës, lëndimi i Kroupit i hap rrugën kosovarit
Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Fisnik Asllani, po fiton gjithnjë e më shumë terren në listën e objektivave të Barcelonës për përforcimin e repartit ofensiv.
Lëndimi i Eli Junior Kroupit, i cili pritet të mungojë për 3 deri në 4 muaj pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, ka bërë që sulmuesi kosovar i Hoffenheimit të ngjitet në listën e alternativave të klubit katalanas.
23-vjeçari vlerësohet lart nga drejtuesit e Barcelonës për profilin e tij si një numër 9 modern, i cili përshtatet me filozofinë e lojës së trajnerit Hansi Flick.
Asllani vjen pas një sezoni të suksesshëm, në të cilin regjistroi 10 gola dhe 7 asistime. Ai veçohet për lojën e mirë në ajër, aftësinë për të përdorur të dyja këmbët dhe presionin e vazhdueshëm ndaj mbrojtjeve kundërshtare.
Pavarësisht se objektivi kryesor i Barcelonës për repartin ofensiv mbetet sulmuesi argjentinas Julian Alvarez, Fisnik Asllani tashmë konsiderohet një opsion konkret për skuadrën katalanase.
Nëse Barcelona vendos të mos e realizojë transferimin e Alvarez, sulmuesi kosovar mund të jetë një nga alternativat kryesore për përforcimin e sulmit.



