Trabzonspori kërkon 20 milionë euro për Muçin
Ernest Muçi është kthyer në një nga emrat më të përfolur në Turqi gjatë vitit të fundit, ndërsa paraqitjet e tij kanë zgjuar interesimin e disa klubeve edhe jashtë futbollit turk.
Në fakt, interesimi i fundit për Muçin thuhet se ka detyruar Trabzonsporin të caktojë çmimin për lirimin e tij.
Së fundmi, është raportuar se interesim për shërbimet e tij ka shfaqur skuadra e Premierligës, Aston Villa, por Trabzonspori ka qenë i prerë në kërkesën për ta liruar Muçin.
Skuadra turke ka kërkuar jo më pak se 20 milionë euro për ta lënë të lirë futbollistin e Kombëtares së Shqipërisë, i cili ka kontratë me Trabzonsporin deri në vitin 2029.
Kërkesa e lartë e Trabzonsporit ka bërë që Aston Villa të tërhiqet nga interesimi për Muçin, por kjo nuk do të thotë se klubi anglez nuk do të bëjë ndonjë tjetër tentativë deri në fund të afatit kalimtar të verës.
Muçi sezonin e kaluar ishte i huazuar te Trabzonspori, klub që muaj më parë e bleu kartonin e tij nga Beshiktashi për një shumë totale prej 11 milionë eurosh.



