Bëri deklarim të rremë për krimet në Zubin Potok, një person ndalohet për 48 orë

05 gusht 2026 | 11:03

Një burrë nga fshati Zupç i komunës së Zubin Potokut është ndaluar deri në 48 orë, pasi dyshohet se ka dhënë deklarim të rremë gjatë një hetimi për krime lufte.

Sipas avokatit të tij, Millosh Deleviq, D.V. ishte ndaluar më herët gjatë ditës në pikëkalimin kufitar në Bërnjak dhe ishte dërguar për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit në hetimin që Prokuroria Speciale e Kosovës po zhvillon për krime lufte në Zubin Potok.

“Ai u dërgua në Bërnjak për të dhënë dëshminë si dëshmitar në hetimin për krime lufte. Më pas, prokurori vendosi të nisë procedurë ndaj tij nën dyshimin për dhënie të deklarimit të rremë, për çka iu caktua ndalimi policor deri në 48 orë”, ka deklaruar avokati për mediumin lokal Zubin Potok INFO.

Sipas Deleviqit, D.V. ishte ndaluar rreth orës 13:00 në pikëkalimin mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën, rreth orës 14:30, në Mitrovicën e Veriut është arrestuar një i dyshuar, pasi kishte dhënë deklarim të rremë gjatë intervistimit nga njësia policore.

Në njoftimin e Policisë thuhet se, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, por nuk specifikohet nëse bëhet fjalë për personin me inicialet D.V.

Prokuroria Speciale e Kosovës është duke zhvilluar hetime për krime lufte në komunën e Zubin Potokut, ku po kryhen gërmime në disa lokacione, për të cilat autoritetet dyshojnë se mund të ketë mbetje mortore të shqiptarëve, kryesisht nga rajoni i Mitrovicës, të cilët rezultojnë të zhdukur që nga lufta e vitit 1999.

Lidhur me këtë rast, deri më tani janë arrestuar tre persona në Zubin Potok, ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. /KosovaPress/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Degës së Dytë të LDK-së në Prishtinë, Florian…