Kurti fton Hamzën dhe Gjinin në takim: Jam i interesuar për marrëveshje politike
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është i interesuar për arritjen e një marrëveshjeje politike për çështjen e presidentit, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kurti e ka bërë këtë deklaratë në një konferencë për media në hollin e Kuvendit, pasi seanca u ndërpre me kërkesën e tij për t’i dhënë kohë shtesë bisedimeve ndërmjet partive politike.
Ai u ka bërë thirrje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, që të takohen për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja.
“I bëj thirrje Ardian Gjinit, por edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza… që të takohemi e të bisedojmë, sepse nëse kryetari i Kuvendit i takon subjektit fitues dhe nëse qeverinë e formon mazhoranca që jemi ne, atëherë zgjedhja e presidentit është përgjegjësi edhe e PDK-së edhe e Aleancës. Na duhet diskutim, e komunikim dhe unë jam i vullnetshëm dhe i interesuar”, ka thënë Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes ka theksuar se dëshiron t’i japë mundësi një marrëveshjeje për presidentin, pasi sipas tij, konstituimi i Kuvendit pa një dakordim të tillë do të çonte drejt një situate të re politike.
“Duhet t’i japim shansë marrëveshjes politike apo konsensusit për presidentin apo presidenten e re. Çfarëdo konstituimi pa marrëveshje për presidentin, do të ishte parapërgatitje për shpërndarje të Kuvendit. Marrëveshja është rruga e duhur për konstituimin e institucioneve, ashtu siç e do rendi”, ka deklaruar Kurti.



