“Sot priten shumë përgjigje” -Kryeziu flet për fatin e Kuvendit
Sot është afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së XI-të, të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Pikërisht në këtë ditë, deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se pritet të qartësohen shumë çështje dhe të marrin përgjigje shumë prej pikëpyetjeve që kanë shoqëruar situatën politike në vend.
Në emisionin “InfoNata” në Tëvë1, Kryeziu-Hyseni ka deklaruar se nesër pritet të qartësohet nëse Kosova po hyn në një proces të ri zgjedhor.
“Do të shohim a do të kemi potencialisht një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nesër do të kemi shumë qartësime, ndoshta edhe shumë përgjigje për pikëpyetjet që kemi në kokat tona, sepse është shumë shqetësuese ajo çfarë ndodh jo vetëm për ne që ndjekim këto zhvillime, por edhe qytetarët e këtij vendi. Besoj se ajo çfarë do të ndodhë nesër, do të jetë edhe qartësim i qëndrimeve që do të marrin qytetarët, nëse realisht do të hyjmë në një proces të ri zgjedhor, i cili ne po mendojmë që është i padrejtë dhe i panevojshëm”, ka thënë ajo.
Kryeziu-Hyseni ka shprehur besimin se, siç ka thënë ajo, edhe LDK-ja do të reflektojë gjatë këtyre 24 orëve.
Ajo ka përsëritur gjithashtu qëndrimin se LVV-ja dëshiron një marrëveshje për një president konsensual.



