Pacolli: Për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia është e të gjithëve
Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit kërkon përgjegjësi të përbashkët të shumicës dhe opozitës, duke theksuar se ky post nuk duhet të shndërrohet në objekt të betejave politike.
Pacolli është shprehur se Kushtetuta dhe vetë natyra e institucionit të presidentit kërkojnë dialog mes partive parlamentare për të arritur një emër me mbështetje të gjerë.
“Presidenti i vendit nuk duhet të jetë figurë e betejave të zakonshme politike! Për zgjedhjen e presidentit të vendit nuk mjafton vetëm vullneti i një partie apo i një shumice parlamentare. Kushtetuta dhe vetë natyra e këtij posti kërkojnë një qasje që e përfshin edhe opozitën. Presidenti nuk është president i një partie. Është president i Republikës”, ka shkruar Pacolli në “Facebook”.
Ajo ka shtuar se kandidati për president duhet të jetë rezultat i një dialogu serioz politik ndërmjet shumicës dhe opozitës.
“Prandaj, propozimi i kandidatit duhet të jetë rezultat i një dialogu serioz politik, ku shumica dhe opozita parlamentare duhet të ulen në një tavolinë dhe të kërkojnë emrin që mund të kapërcejë interesat e ngushta partiake”, është shprehur Pacolli.
Sipas saj, opozita nuk duhet ta trajtojë procesin si mundësi për ta bllokuar shumicën.
“Opozita nuk duhet dhe nuk mund ta trajtojë procesin vetëm si mundësi për ta bllokuar shumicën. Kosova ka nevojë për një president që del nga një marrëveshje që i jep legjitimitet më të gjerë institucionit të Presidentit”, ka shkruar ajo.
Pacolli ka theksuar se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit u takon të gjitha forcave politike.
“Në këtë proces, përgjegjësia është e të gjithëve. Në fund, nuk është çështja vetëm kush do të zgjidhet president, por si do të zgjidhet dhe çfarë legjitimiteti do të ketë ai president. Tani është koha që opozita të tregojë nëse është opozitë e Republikës apo opozitë e bllokadave”, ka shkruar Pacolli.



