Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Jemi shumë larg marrëveshjes me LV-në
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka deklaruar se palët janë ende shumë larg arritjes së një marrëveshjeje politike.
“Nuk kam lajme të reja, por jemi shumë, shumë larg marrëveshjes”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka theksuar se, sipas LDK-së, nuk ka asnjë arsye që të vonohet procesi i konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së tij.
“Për LDK-në dhe mua nuk ka asnjë arsye të vonohet konstituimi dhe të zgjidhet kryetari e kryesia. Sot duhet të ketë seancë. Është përgjegjësi e partisë së parë. Në çështjet e tjera, sa më shumë që vonohemi, natyrisht që marrëveshja bëhet më e vështirë”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka bërë të ditur se pa një balancë institucionale nuk mund të ketë marrëveshje politike, duke shtuar se përpjekjet e tij kanë qenë për të gjetur një zgjidhje dhe jo për të fajësuar palët.
“Përderisa nuk ka balancë institucionale, nuk ka marrëveshje politike. Jam përpjekur me vullnet të mirë. Lehtë është të shkaktohen zgjedhje të reja. Qëllimi im dhe i LDK-së ka qenë të gjendet një zgjidhje, jo kush kë po e mund, mashtron apo vonon”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka shtuar se situata aktuale po e vështirëson gjithnjë e më shumë mundësinë e një marrëveshjeje.
“Në këtë pikë, me keqardhje të madhe them se jemi në një rrugë që nuk ka zgjidhje”, ka përfunduar Abdixhiku. /EO



