Haxhiu: Deklaratat e Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit janë kërcënuese
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, është shprehur se deklaratat e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër paraqesin shqetësim serioz për Kosovën dhe duhet të adresohen me partnerët ndërkombëtarë.
Haxhiu, në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, u ka kërkuar diplomatëve të Kosovës që t’i informojnë qeveritë e vendeve ku shërbejnë për pasojat që, sipas saj, mund të ketë një ndërhyrje në rrjedhat ujore ndërkufitare.
Ajo ka theksuar rëndësinë e sistemit Ibër-Lepenc dhe të liqenit të Ujmanit për furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë dhe jetën e qytetarëve të Kosovës.
“Nga ana tjetër, Serbia vazhdon politikën e saj hegjemoniste ndaj Kosovës. Një tjetër shqetësim serioz që duhet të adresohet me partnerët tanë ndërkombëtarë janë edhe deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Siç e dini, Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi esencial për furnizim me ujë, për energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës. Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike. Ajo do të prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë”, është shprehur ajo.
Haxhiu ka kërkuar që diplomatët kosovarë t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për pasojat e mundshme.
“Për këtë arsye, diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për natyrën dhe pasojat e kësaj ideje, absurde sa edhe kërcënuese. Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo ka shtuar se Kosova pret nga partnerët ndërkombëtarë që çdo veprim që rrezikon burimet ujore jetike të vendit të trajtohet në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.
Haxhiu kërkon përgjegjësi nga Serbia për Banjskën dhe personat e zhdukur
Duke folur për raportet me Serbinë, Haxhiu ka deklaruar se Beogradi duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe qytetarëve, si dhe për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.
“Të nderuar ambasadorë, raportet me Serbinë, siç e përmendi, mbeten një nga arsyet kryesore të politikës së jashtme të Republikës sonë. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve, qytetarëve të tjerë, për dorëzimin e kryeterroristit Milan Radojçiq dhe të tjerëve të përfshirë në këtë sulm terrorist, por po ashtu edhe për zbardhjen e fatit të mbi 1500 personave të zhdukur në vend gjatë luftës. Adresimi i këtyre çështjeve është pjesë e domosdoshme e çdo procesi që synon një normalizim të vërtetë e të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka përmendur edhe zhvillimet e fundit në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së viteve 1998-1999, duke kërkuar nga Serbia hapjen e arkivave.
“Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e ndjeshme në dritën e zhvillimeve të ditëve të fundit. Në Zubin Potok, në lokacionet Kalludër e Vogël dhe Jabuk, janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së viteve 1998-1999, derisa institucionet tona po punojnë edhe në një lokacion të tretë të dyshuar për varrezë masive. Për diplomatët tanë, kjo duhet të jetë një çështje e vazhdueshme e komunikimit me qeveritë dhe institucionet e vendeve ku shërbejnë. Partnerët tanë duhet ta dinë se edhe sot, në Kosovë, po gjenden dëshmi të reja të krimeve të luftës dhe se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre ende pret përgjigje. Prandaj, duhet t’i bëhet presion Serbisë që të hapë arkivat”, ka theksuar ajo.
Këto deklarata Haxhiu i ka bërë në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, aktivitet i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.



