Gjocaj: Nuk u besoj politikanëve, ngre dyshime se këngët shqipe në veri po lëshohen me leje nga Beogradi
Shpend Gjocaj, invalid i luftës dhe ish-kandidat për deputet nga Aleanca, ka shprehur mosbesim ndaj deklaratave të politikanëve lidhur me situatën në veri të Kosovës pas largimit të KFOR-it nga Ura e Ibrit.
Duke folur për “KosovaLive”, Gjocaj ka ironizuar me mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen zhvillimet në veri, duke ngritur dyshime se aktivitetet dhe qetësia e krijuar në këtë pjesë të vendit mund të jenë të lidhura me Beogradin.
“Unë nuk u besoj çka thonë politikanët, e sidomos ata që nuk e dijnë alfabetin e shkojnë dhe bëjnë ahengje atje në veri, lëshojnë tri-katër këngë në shqip, ndoshta edhe me leje nga Beogradi, për të mos bërë trazira”, ka thënë Gjocaj.
Ai ka vënë në pikëpyetje mundësinë që qytetarët serbë në veri të mos reagojnë ndaj zhvillimeve të fundit, duke rikujtuar protestat dhe incidentet e mëhershme në këtë pjesë të Kosovës.
“Ku mendoni ju që, së paku, serbët nëse s’ju konvenon kjo situatë nuk do të dilnin në protesta?”, ka thënë Gjocaj.
Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të misioneve ndërkombëtare në veri.
“Gazetarët dikur janë sulmuar fizikisht kur serbët kanë konsideruar se situata nuk po ju konvenon atyee”, është shprehur ai, duke iu referuar edhe sulmeve të mëhershme ndaj pjesëtarëve të misioneve ndërkombëtare në veri.
Gjocaj ka pretenduar se zhvillimet në veri mund të jenë të koordinuara me Beogradin, duke iu referuar edhe deklaratave të mëhershme të bëra në medie.



