54 aktakuza brenda 24 orëve nga prokuroritë themelore në Kosovë
Prokuroritë themelore në Kosovë kanë ngritur 54 aktakuza gjatë 24 orëve të fundit, ndaj gjithsej 58 personave për vepra të ndryshme penale.
Sipas raportit 24-orësh të Prokurorit të Shtetit, gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar një sërë veprimesh procedurale në kuadër të trajtimit të rasteve të ndryshme penale.
“Prokurori i Shtetit ju njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë ngritur pesëdhjetë e katër (54) aktakuza, kundër pesëdhjetë e tetë (58) personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale”, thuhet në raport.
Po ashtu, gjatë 24 orëve të fundit janë ndaluar 13 persona.
Ndërkohë, prokuroritë kanë parashtruar edhe dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave.
Prokurori i Shtetit vazhdon të publikojë raportet e përditshme lidhur me veprimet e ndërmarra nga prokuroritë në të gjithë Kosovën.



