Mbyllet aktiviteti i hotelit dhe restorantit “Liqeni i Dukagjinit” në Radoniq
Inspektorati i Mjedisit ka urdhëruar mbylljen e aktivitetit të hotelit dhe restorantit “Liqeni i Dukagjinit”, i cili ndodhet në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit.
Sipas ministres së Mjedisit, Mbrojtjes së Mjedisit dhe Planifikimit, Fitore Pacolli, aktiviteti ka funksionuar në kundërshtim me legjislacionin mjedisor dhe në shkelje të Ligjit për Ujërat, Vendimit 09/127 të Qeverisë për caktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit dhe akteve të tjera nënligjore.
Operatorit i janë dhënë 10 ditë afat për t’i larguar pajisjet nga prona, ndërsa KRU “Gjakova” është obliguar të kujdeset për zbatimin e këtij vendimi dhe të shkëpusë kontratën me operatorin.
Pacolli ka thënë se aktiviteti i tillë ka rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.
Ajo ka bërë të ditur se si ministri kanë kërkuar hetim të plotë për të gjitha rrethanat dhe personat përgjegjës që kanë mundësuar funksionimin e këtij aktiviteti, përfshirë edhe veprimet e ish-zyrtarëve përgjegjës, të cilët dyshohet se mund të kenë keqpërdorur detyrën.
“Mbrojtja e burimeve dhe rezervuarëve të ujit të pijshëm është obligim ligjor dhe përgjegjësi e jona thelbësore ndaj qytetarëve”, ka deklaruar Pacolli, duke theksuar se ujërat e Kosovës do të mbrohen pa përjashtim.



