Rama për LV-në: Jeni fatkeqësia e vendit, bllokues në pozitë e opozitë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar për bllokim të iniciativave të kryeqytetit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka thënë se pothuajse çdo iniciativë e ndërmarrë për zhvillimin e Prishtinës është përballur me, siç i ka quajtur ai, bllokada nga Vetëvendosje.
“Pothuajse për çdo iniciativë që kemi ndërmarrë për zhvillimin e Kryeqytetit, kemi pas bllokada nga Vetëvendosje! Ja edhe një tentim prej tyre!”, ka shkruar Rama.
Ai ka bërë me dije se edhe në rastin e fundit, Ggykata i ka dhënë të drejtë kryeqytetit, duke e cilësuar vendimin si një tjetër betejë institucionale të fituar.
“Gjykata edhe këtë herë i dha të drejtë kryeqytetit! Edhe një betejë institucionale e fituar!”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.
Rama ka ashpërsuar kritikat ndaj Vetëvendosjes, duke e akuzuar për linçim dhe përpjekje për denigrimin e njerëzve.
“Vetëvendosje, po e përsëris: ju jeni fatkeqësia e këtij vendi. Keni ardhur në pushtet tu linçu, fabriku e tu tentu me denigroni njerëz. Njëjtë keni me përfundu!”, ka shkruar Rama.



