Rama: Çështjes së pastrimit po i japim zgjidhje përfundimisht

26 gusht 2026 | 13:02

Gjendja e rëndë me mbeturina në kryeqytet ka bërë që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ta vizitojë Kompaninë “Pastrimi”, ku është takuar me kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje, Petrit Reçica.

Në takimin, i cili zgjati afër një orë është diskutuar për vështirësitë në grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë.

Rama u ka thënë medieve se aktualisht mirëmbajtja e mbeturinave në kryeqytet nuk është në nivelin e duhur.

Ai ka bërë me dije se ka ftuar të gjithë kryetarët e komunave që menaxhohen nga ndërmarrja “Pastrimi” që të takohen nesër dhe të diskutojnë për këto probleme.

“Faktikisht, i diskutuam shumë çështje. Pika kyçe, normal, grumbullimi i pastrimit, po thosha grumbullimi i mbeturinave në kryeqytet. Treguam që për momentin nuk është në nivelin e duhur. Ne kemi organizuar po ashtu edhe një takim tjetër nesër me kryetarët e komunave të tjera, sepse disa prej kryetarëve të komunave të tjera veç kanë filluar, kanë marrë faktikisht procese të tjera, i kanë shtyrë disa procese të tjera më përpara. Një problem kyç që e kemi është që Prishtina është aksionare në ‘Pastrimi’ me 77.6 për qind dhe, përderisa e ka vetëm një anëtar në bord, pra e përfaqëson Prishtinën vetëm një anëtar i bordit prej katër vetave sa janë, përderisa komunat e tjera që janë shumë më të vogla përfaqësohen vetëm nga një anëtar. Edhe ky riformim na pamundëson ne si kryeqytet të ndërmarrim masa të cilat janë më se të nevojshme për ta mirëmbajtur pastrimin”, ka deklaruar Rama.

Ndërsa, kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Petrit Reçica, ka theksuar se ofrojnë shërbime për mbi 400 mijë qytetarë dhe se nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga niveli qendror.

“Ne i ofrojmë shërbim mbi 400 mijë qytetarëve dhe sot as prej nivelit qendror nuk kemi pasur asnjë përkrahje sa i përket kësaj pjese. Fatkeqësisht po them, sepse shërbimi për mbeturina nuk duhet të jetë veç problem lokal, duhet të jetë interes nacional edhe i të gjitha niveleve. Ne i kemi adresuar kërkesat tona sepse, siç e potencoi edhe kryetari, ne do t’i diskutojmë edhe problemet, nuk mjafton të kemi veç kërkesa. Fakti që me deponinë kemi probleme është problem i trashëguar. Ne e kemi aty një borxh të trashëguar dhe fatkeqësisht, për borxhe shpeshherë edhe na mbyllin dyert. Për borxhe flas të trashëguara, e që nuk do të duhej të ndodhte kjo, sepse në çdo rrethanë mund të rrezikojë edhe shëndetësinë jo vetëm të kryeqytetit, por edhe të pothuajse gjysmës së Republikës së Kosovës për shkak të sasisë së mbeturinave”, ka deklaruar ai.

Qytetarët në vazhdimësi kanë ankesa për vonesa në grumbullimin e mbeturinave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampioni i Ligës Premier, Arsenali thuhet se nuk do të…