Sadiku pas triumfit në boks: Kjo medalje mban djersën, lotët dhe zemrën time
Kampionia e Kosovës në boks, Donjeta Sadiku, ka festuar medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare, duke ia dedikuar suksesin edhe punës dhe përkrahjes së trajneres së saj, Marjola Sallaukës.
Përmes një postimi, Sadiku ka deklaruar se pas medaljes qëndrojnë shumë sakrifica, punë dhe një besim i palëkundur, ndërsa ka veçuar rolin e trajneres së saj gjatë gjithë rrugëtimit.
“Disa fitore shihen me sy, por kjo ndihet me zemër”, ka shkruar ajo.
Sadiku ka theksuar se medalja përfaqëson djersën, lotët dhe përkushtimin e saj, por edhe punën e përbashkët me trajneren Sallauka.
“Kjo medalje mban djersën, lotët dhe zemrën time, por pas saj qëndron edhe një luftë e madhe, një besim i palëkundur dhe një femër që ishte aty në çdo hap — trajnerja ime, Marjola Sallauka”, ka shkruar ajo.
Në fund, kampionia ka shprehur mirënjohje për të gjitha sakrificat dhe besimin që e kanë sjellë deri te ky sukses.
Pas fitores në gjysmëfinale ndaj grekes Sofia Legaki, Sadiku e ka mbyllur turneun në mënyrën më të fuqishme të mundshme, me një fitore në finale ndaj boksieres nga Serbia dhe me medaljen e artë në qafë.



