Abdixhiku falënderon Kurtin dhe LV-në për konstruktivitetin në bisedimet për presidentin

31 gusht 2026 | 13:49

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurtin, dhe subjektin e tij politik për qasjen konstruktive gjatë negociatave për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Pas arritjes së marrëveshjes për kandidatin konsensual, Bekim Sejdiu, Abdixhiku e ka vlerësuar procesin e zhvilluar mes dy partive si sfidues, por njëkohësisht të rëndësishëm për vendin.

“Dua ta falënderoj zotin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për konstruktivitetin e mbajtur gjatë këtyre bisedimeve. Ka qenë sfiduese për të dy palët, por kemi bërë një punë të mirë, të mbarë për Republikën tonë, kemi arritur një marrëveshje me vlerë për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.

Marrëveshja në mes të LV-së dhe LDK-së është arritur pas disa takimeve ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut, gjatë të cilave janë diskutuar disa emra për një kandidat që do të mund të siguronte mbështetje të gjerë politike.

Dy liderët janë dakorduar për Bekim Sejdiun si kandidat konsensual dhe jopartiak për postin e presidentit të Republikës së Kosovës.

Tashmë procesi pritet të kalojë në fazën parlamentare, ku do të kërkohet mbështetja e deputetëve për zgjedhjen e presidentit. Marrëveshja politike mes dy partive synon t’i hapë rrugë zgjidhjes së ngërçit institucional dhe shmangies së një cikli të ri zgjedhor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Egli Tako po shijon ditët e pushimit në Sardegna të…