Danimarka rihap ambasadën në Siri, premton 76 milionë dollarë për rimëkëmbjen
Danimarka ka rihapur të hënën ambasadën e saj në Damask, pas një mbylljeje 14-vjeçare, ndërsa ministri i Jashtëm, Lars Lokke Rasmussen, ka njoftuar ndarjen e 76 milionë dollarëve shtesë për të mbështetur rimëkëmbjen dhe stabilitetin e Sirisë.
Rasmussen ka marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së ambasadës së bashku me ministrin e Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve SANA.
Al-Shaibani e ka cilësuar këtë lëvizje si një “kapitull të ri” në marrëdhëniet siriano-daneze dhe është shprehur se shpreson që ajo të inkurajojë angazhimin dhe investimet më të mëdha evropiane në Siri. Rasmussen ka deklaruar se financimi do të mbështesë rimëkëmbjen e hershme, stabilizimin dhe kthimin e refugjatëve. Ai ka shtuar se sirianët që kanë gjetur strehim në Danimarkë mund të kontribuojnë me aftësitë dhe përvojën e tyre në rindërtimin e vendit, ndërsa kthehen në shtëpi.
Rasmussen më vonë është takuar me presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa, në Pallatin e Popullit në Damask. Presidenca siriane ka bërë me dije se bisedimet janë përqendruar në forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe bashkëpunimin në rimëkëmbjen dhe rindërtimin e vendit, si dhe në përpjekjet për të mbështetur stabilitetin në Siri.



