Trump vë në pikëpyetje mbështetjen e SHBA për Britaninë mbi Ishujt Falkland

01 shtator 2026 | 22:11

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se administrata amerikane po rishikon qëndrimin e saj ndaj sovranitetit britanik mbi Ishujt Falkland, duke ngritur shqetësime për marrëdhëniet e veçanta mes Washingtonit dhe Londrës.

I pyetur në Shtëpinë e Bardhë nëse po rishikonte qëndrimin amerikan për ishujt në Atlantikun e Jugut, sovraniteti i të cilëve pretendohet prej kohësh edhe nga Argjentina, Trump u përgjigj: “Unë gjithmonë rishikoj çdo qëndrim – është vetëm një nga shumë të tilla”.

Zyrtarisht, SHBA-ja mban një qëndrim neutral lidhur me sovranitetin mbi Falklandet.

Megjithatë, në praktikë, Uashingtoni njeh administrimin britanik të territorit, të cilin Britania e pretendoi që në fund të shekullit XVII dhe e ka kontrolluar pothuajse vazhdimisht që prej vitit 1833.

Ishujt u kthyen në qendër të një konflikti të armatosur në vitin 1982, kur Argjentina i pushtoi. Britania dërgoi një task-forcë detare dhe, pas disa javësh luftimesh, rifitoi kontrollin mbi territorin.

Komentet e Trump janë interpretuar si sinjali më i qartë deri tani se administrata amerikane mund ta përdorë çështjen e Falklandeve si mjet presioni ndaj qeverisë së kryeministrit të ri britanik, Andy Burnham, për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe kontributeve në NATO.

Javën e kaluar, një zyrtar amerikan i paidentifikuar i tha gazetës Telegraph se Washingtoni mund të ndryshonte qëndrimin ndaj ishujve nëse Britania nuk përmbushte angazhimet e saj për shpenzimet ushtarake.

Kjo deklaratë pasoi raportimet se John Healey, kancelari britanik, po përgatitej të tërhiqej nga angazhimi i mëparshëm për të shpenzuar 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen deri në vitin 2030.

Trump e ka bërë rritjen e shpenzimeve ushtarake të aleatëve një nga prioritetet e presidencës së tij. Ai ka kritikuar vazhdimisht vendet e tjera të NATO-s, duke i akuzuar se nuk kontribuojnë sa duhet në sigurinë e përbashkët.

Në samitin e NATO-s në Hagë vitin e kaluar, aleatët ranë dakord të synojnë shpenzime prej 5% të PBB-së për mbrojtjen dhe shpenzime të lidhura me sigurinë deri në vitin 2035.

Mundësia e një ndryshimi të qëndrimit amerikan ndaj Falklandeve është përfolur prej muajsh. Në prill, një email i rrjedhur nga Pentagoni sugjeronte se pretendimi britanik mbi ishujt mund të rishikohej për shkak të mungesës së mbështetjes së Londrës për vendimin e Trump për të nisur luftën me Iranin.

Një ndryshim i qëndrimit amerikan do të përbënte një goditje të rëndësishme politike dhe psikologjike për Britaninë.

Gjatë luftës së vitit 1982, mbështetja diplomatike e presidentit amerikan të atëhershëm, Ronald Reagan, ishte një faktor i rëndësishëm për qeverinë e Margaret Thatcher.

Edhe pse SHBA ishte aleate edhe me juntën ushtarake që drejtonte Argjentinën, Reagan u pozicionua në mbështetje të Britanisë.

Në konflikt humbën jetën 649 ushtarakë argjentinas dhe 255 britanikë, përpara se forcat argjentinase të dorëzoheshin në qershor të vitit 1982. Lufta luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes Thatcher dhe Reagan.

Ndërkohë, Trump ka zhvilluar marrëdhënie të afërta me presidentin populist të Argjentinës, Javier Milei, i cili ka mbështetur publikisht pretendimin argjentinas mbi Falklandet.

Në vitin e kaluar, Trump autorizoi një paketë financiare prej 20 miliardë dollarësh për Argjentinën, në përpjekje për ta ndihmuar vendin të përballonte një krizë financiare.

Më vonë, ai autorizoi edhe importet e mishit të viçit argjentinas në SHBA, në kuadër të përpjekjeve për të ulur çmimet e ushqimeve.

Pretendimi për Ishujt Falkland, të njohur në Argjentinë si Malvinas, vazhdon të jetë një çështje e ndjeshme kombëtare për Buenos Airesin. Ndërsa në një referendum të vitit 2013, 1,513 nga 1,517 banorët e Falklandeve që votuan u shprehën në favor të mbetjes së territorit nën Mbretërinë e Bashkuar.

Çështja u rikthye në vëmendje edhe pas fitores 2-1 të Argjentinës ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Botërorit në korrik, kur disa lojtarë argjentinas shpalosën një pankartë me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas” – “Falklandet janë argjentinase”.

Federata Argjentinase e Futbollit u gjobit më pas me 235 mijë dollarë nga FIFA për shkelje të rregullave mbi demonstratat jo-sportive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka folur për…