Abazi: Me këtë kurs, Abdixhiku ia mundëson Kurtit realizimin e synimit strategjik për shpërbërjen e LDK-së dhe Kosovës
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës në Qeverinë Kurti I, Haki Abazi, ka komentuar zhvillimet e fundit politike lidhur me bashkëpunimin mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, si dhe mospajtimet brenda LDK-së për kandidaturën për president.
Abazi ka thënë se për Abdixhikun ekziston vetëm një rrugë racionale: tërheqja nga marrëveshja me LV-në dhe ndërtimi i një konsensusi të gjerë opozitar.
Sipas tij, nëse Abdixhiku vazhdon me kursin aktual, ai rrezikon fundin e karrierës së tij politike dhe, sipas Abazit, po i hap rrugë realizimit të objektivit të LV-së për shpërbërjen e LDK-së.
“Për Lumir Abdixhikun, ekziston vetëm një dritare racionale: tërheqja nga marrëveshja aktuale me LV-në dhe ndërtimi i një konsensusi të gjerë opozitar. Vazhdimi i kursit aktual çon në mënyrë deterministe në perëndimin e karrierës së tij politike dhe në realizimin e objektivit strategjik të LV-së: shpërbërjen simbolike të LDK-së si parakusht për shpërbërjen e modelit aktual të Republikës”, ka shkruar Abazi në “Facebook”.



