7 vite në politikë – unë nuk kam nevojë ta rushkruaj historinë time politike
Besa Ismaili Ahmeti
SHTATË VJET NË POLITIKË
SHTATË VJET NË PDK
Sot, shtatë vjet më parë hyra në politikë dhe iu bashkova Partisë Demokratike të Kosovës.
Nuk hyra pa e ditur se çfarë më priste…
E dija se politika nuk është rrugë e lehtë. E dija se do të kishte beteja, goditje, paragjykime, linçime dhe zhgënjime. Nuk ishin gjëra të reja ato për mua, sepse nuk e pata rrugën e shtruar me lule as deri aty, por me ndihmën e Zotit ia dilja.
Vetëm një gjë ndoshta nuk e dija: se betejat më të vështira nuk do të ishin gjithmonë ato me kundërshtarët politikë.
Betejat e brendshme, shpesh, kanë qenë më të vështira se ato të jashtme.
Por nuk më bën të largohem.
Më kalitën.
Nuk më bënë të ndërroj rrugë dhe tarafe.
Më bënë më të fortë në bindjet e mia.
Kur hyra në politikë, shumë prej kauzave që mbroja viheshin në pikëpyetje. Për disa prej qëndrimeve të mia jam gjykuar, sulmuar e linçuar. Sot, shtatë vjet më vonë, koha ka dhënë shumë prej përgjigjeve që atëherë u mungonin njerëzëve që kundërshtonin rreshtimin tin politik.
Dhe unë sot për dallim nga aq shumë të tjerë – nuk kam nevojë ta rishkruaj historinë time politike.
Krenare me veten atëherë, krenare sot.
Kam qenë aty. Kam folur atëherë. Kam qëndruar atëherë. Dhe qëndroj edhe sot.
Pak kohë pas hyrjes sime në politikë, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi u larguan nga jeta politike për t’u përballur me drejtësinë në Hagë.
Që atëherë, shumëçka ndryshoi.
Por jo bindja ime.
Për shtatë vjet, çdo ditë të lume kam shkruar, kam folur, kam reaguar, kam kundërshtuar dhe kam dhënë kontributin tim për vetëdijesimin politik të shoqërisë sonë. Kam bërë pjesën time edhe kur ka qenë më e lehtë të heshtja. Edhe kur heshtja do të më kursente shumë beteja, të brendshme dhe të jashtme.
Sepse besnikëria ndaj kauzave nuk dëshmohet në ditët e lehta. Ajo dëshmohet kur qëndrimi ka çmim.
Sot, pas shtatë vjetësh, jam ende këtu.
Pranë Partisë Demokratike të Kosovës.
Pranë njerëzve dhe historisë në të cilën kam besuar.
Në pritje të drejtësisë për Kadri Veselin, Hashim Thaçin dhe të tjerët.
Pres ditën kur ky kapitull i rëndë të marrë përgjigjen e drejtësisë dhe ata të kthehen të lirë pranë familjeve dhe vendit të tyre.
Sepse mund të kalojnë shtatë vjet. Mund të ndryshojnë rrethanat, njerëzit dhe interesat.
Por disa gjëra nuk negociohen: bindja, dinjiteti dhe besnikëria.
Kam humbur beteja.
Kam marrë goditje.
Kam përjetuar zhgënjime.
Por nuk më definojnë ato.
Më definon angazhimi, dinjiteti, konsistenca dhe artikulimi i zëshëm, edhe atëherë kur isha zë i vetmuar.
Shtatë vjet më vonë, jam ende këtu.
Me më shumë përvojë.
Me më shumë plagë.
Por edhe me më shumë forcë se kurdo herë.
Ecim tutje.



