OVLUÇK-ja: Kërkesat e ZPS-së nuk mund ta fshehin dështimin e një prokurorie të njëanshme

10 shtator 2026 | 15:29

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK) ka reaguar pas kërkesave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për dënimin e Hashim Thaçit, Hajredin Kuçit, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Bashkim Smakajt në rastin për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.

OVLUÇK-ja ka shprehur shqetësim lidhur me kërkesat për dënim, duke i cilësuar ato si të pritshme nga një prokurori që, sipas kësaj organizate, ka ndjekur qasje të njëanshme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Për ne, këto kërkesa nuk janë befasi. Ato vijnë nga e njëjta Prokurori e Specializuar, e cila gjatë gjithë këtij procesi ka ndërtuar një qasje të njëanshme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe ka ngritur akuza mbi një material të kontestueshëm, përfshirë edhe materiale të ardhura nga Serbia”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.

Sipas OVLUÇK-së, është e vështirë të mos shtrohet pyetja nëse, përballë asaj që ajo i konsideron si dështime në proceset e zhvilluara në Hagë, ZPS-ja po përpiqet ta arsyetojë punën e saj përmes një qasjeje më ndëshkuese në rastin për pengimin e drejtësisë.

“Është e vështirë të mos shtrohet pyetja nëse, përballë dështimeve të saj në proceset e zhvilluara në Hagë, ZPS-ja sot po përpiqet ta arsyetojë punën e vet përmes një qasjeje edhe më ndëshkuese në rastin e pengimit të drejtësisë”, është thënë në reagim.

OVLUÇK-ja ka kritikuar gjithashtu ZPS-në për kërkesat për dënime me burgim, duke pretenduar se Prokuroria nuk ka reflektuar mbi dobësitë dhe kontradiktat që, sipas saj, janë shfaqur në proceset e saj.

“Kjo nuk e forcon besimin në drejtësi. Përkundrazi, e thellon shqetësimin se kemi të bëjmë me një prokurori që ka ndërtuar një narrativë të paracaktuar ndaj UÇK-së dhe njerëzve që i shërbyen asaj”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.

Kjo organizatë ka thënë se nuk pret “lajme të mira” nga ZPS-ja, por ka theksuar se pret drejtësi nga gjykatësit.

“Vendimi duhet të mbështetet në ligj dhe në standardet më të larta të drejtësisë, e jo në narrativat e Prokurorisë”, është thënë në këtë reagim

OVLUÇK-ja ka kundërshtuar atë që e cilëson si kriminalizim të luftës së UÇK-së përmes proceseve gjyqësore.

“Lufta e UÇK-së nuk mund të kriminalizohet përmes proceseve të njëanshme dhe se drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi paragjykime politike”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar ministrin në detyrë…