Mbrojtja e Smakajt: Fjalët e përdorura në vizitën me Thaçin nuk përbëjnë cenim të dëshmitarëve ose drejtësisë

11 shtator 2026 | 11:20

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdojnë fjalët përfundimtare të mbrojtjes në rastin ku Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Mbrojtja e Bashkim Smakajt, e përfaqësuar nga avokati Jonathan Elystan Rees, ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë lidhur me shprehjet e përdorura nga Smakaj dhe Thaçi gjatë vizitave të tyre.

Rees ka thënë se fjalët e përdorura gjatë këtyre vizitave, si “tregoji atij”, “thuaji atij” dhe “thjeshtësoja që të mos i përziejë gjërat”, nuk përbëjnë element të veprës penale, siç pretendon Prokuroria.

“Nuk ka lidhje fare ndërmjet këtyre fjalëve dhe komprometimit të hetimit efektiv të Prokurorisë apo sigurisë së dëshmitarëve. Pra, janë jokonsistente me pretendimin se udhëzime të tilla, që përgjigjet të jenë të shkurtra dhe të shprehura qartë, janë udhëzime të cilat jepen në mënyrë të përgjithshme dhe të zakonshme në të gjithë botën, në të gjitha ambientet e ngjashme. Janë udhëzime që përdoren në mënyrë të zakonshme dhe janë fjalë të cilat nuk kanë lidhje me pretendimin e Prokurorisë se këto fjalë përbëjnë cenim të dëshmitarëve ose administrimit të drejtësisë”, ka thënë Rees.

Avokati ka thënë gjithashtu se Bislim Zyrapi, për të cilin Prokuroria pretendon se është ushtruar ndikim, u ka deklaruar prokurorëve se nuk e ka diskutuar dëshminë e tij me Smakajn.

Sipas Rees, nuk ka asgjë që e ndalon ligjërisht takimin mes Smakajt dhe Zyrapit, pasi ata janë miq të vjetër.

Rees ka argumentuar gjithashtu se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë se Smakaj ka marrë pjesë në bisedat e pretenduara të incizuara më 9 shtator dhe 7 tetor 2023. Për këtë arsye, ai ka kërkuar që Smakaj të lirohet nga akuzat.

Ndryshe, Hashim Thaçi është i pranishëm në sallën e gjyqit në Hagë, ndërsa të akuzuarit e tjerë, përfshirë Smakajn, po marrin pjesë përmes videolidhjes nga Kosova.

Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria ka përfunduar fjalën e saj përfundimtare, duke kërkuar dënime me burgim për të akuzuarit, ndërsa mbrojtja e Thaçit ka kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Agon Maliqi, ka shkruar për Gjykatën Speciale dhe 16…