Në prill Kurti e donte Vlora Çitakun kryetare të Kuvendit, sot nuk ia dhanë votat për nënkryetare
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në prill të këtij viti, në mungesë të votave për zgjedhjen e presidentit, kishte bërë oferta për bashkëpunim me partitë politike.
LDK-së i kishte ofruar disa ministri, ndërsa PDK-së një rrokadë mes pozitave.
Kurti kishte deklaruar se PDK-së i kishte ofruar mundësinë që të ndërronte pozitën e kryetarit të Kuvendit me atë të nënkryetarit, duke përmendur emrat e Bedri Hamzës dhe Vlora Çitakut si kandidatë të mundshëm për kryetar të Kuvendit.
“Kam bërë një ofertë konkrete edhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të zhbllokuar situatën politike. Në këtë ofertë propozova një rrokadë mes kryetares aktuale Haxhiu dhe përfaqësuesve të PDK-së, ku PDK-ja mund të marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit. Pra, kryetarja Albulena Haxhiu të bëhej nënkryetare e Kuvendit, ndërsa Bedri Hamza ose Vlora Çitaku të merrnin drejtimin e Kuvendit. Ky do të ishte një koncesion i madh që e bëjmë ne, që Albulena Haxhiu t’ia lirojë vendin Bedri Hamzës a Vlora Çitakut”, kishte deklaruar Kurti.
Megjithatë, sot deputetët e LV-së nuk e përkrahën kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit.
PDK-ja, në anën tjetër, kishte votuar kandidatin e LV-së, Ardian Gola, për nënkryetar.
Mosvotimi i Çitakut nga LV-ja ka bërë që procesi i konstituimit të Kuvendit të vazhdojë të mbetet i bllokuar.



