Arifi: Aleanca nuk bojkotoi Kuvendin, por lojërat e ndyta të LV-së

11 shtator 2026 | 14:40

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç është shprehur, “lojëra të ndyta” dhe përdorim të shumicës për disiplinimin e opozitës.

Arifi ka thënë se Aleanca nuk e ka bojkotuar Kuvendin, por ka kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, partia fituese po e trajton procesin e konstituimit të institucioneve.

“Aleanca nuk bojkotoi Kuvendin, por bojkotoi lojërat e ndyta të LV-së. Dje ndoshta dikush nuk e kuptoi, por sot e kuptoi se për çka ishte fjala”, ka shkruar Arifi në rrjetet sociale.

Sipas tij, në një demokraci normale, partia që fiton zgjedhjet duhet të punojë për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve, në mënyrë që të nisë qeverisjen dhe zbatimin e programit për të cilin ka marrë besimin e qytetarëve.

“Një parti, kudo në botë, kur i fiton zgjedhjet, ngutet ta përfundojë konstituimin e institucioneve, që të fillojë të qeverisë dhe ta realizojë programin me të cilin i ka fituar zgjedhjet”, ka shkruar Arifi.

Ai ka kritikuar ashpër qasjen e pushtetit, duke pretenduar se Kosova po përballet me një situatë të pazakontë politike.

“​​Kosova është vendi i vetëm në Evropë, e ndoshta edhe në botë, ku partia fituese besimin e qytetarëve e përdor për ta disiplinuar opozitën, në kurriz të institucioneve të shtetit”, ka shkruar ai.

Arifi ka thënë se Aleanca i kishte paralajmëruar këto zhvillime që nga muaji korrik, duke pretenduar se synimi i Vetëvendosjes nuk ishte krijimi i institucioneve, por gjetja e një fajtori për dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.

“Aleanca ju ka paralajmëruar që nga korriku se këta nuk synojnë t’i krijojnë institucionet, por kërkojnë një fajtor për ta dërguar vendin në zgjedhje”, ka shkruar Arifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e zhvillimeve rreth konstituimit të Kuvendit të Republikës…