Ish-luftëtari i UÇK-së dhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina, fton qytetarët në “Marshin e Lirisë”

11 shtator 2026 | 19:37

Ish-ushtari i UÇK-së dhe trajneri i klubit futbollistik “Llapi” nga Podujeva, Tahir Batatina, u ka bërë thirrje qytetarëve, pa dallime politike, që të marrin pjesë të shtunën në “Marshin e Lirisë” në kryeqytet.

Thirrja e plotë e Batatinës:

Të nderuar dhe të respektuar populli im i dashur i Kosovës, të nderuar dhe të respektuar shqiptarë, kudo që jetoni!

Nesër, për mua dhe për shumë bashkëluftëtarë të mi, është një ditë e veçantë. Ne ishim të rinj kur iu bashkuam luftës. Ishim të rinj kur e fituam lirinë. Bashkë u gëzuam, bashkë qajtëm dhe bashkë kujtuam heronjtë dhe martirët tanë, ata që ranë për ta gëzuar lirinë që e kemi sot.

Kujtuam edhe bashkëluftëtarët tanë që për vite me radhë u mbajtën në paraburgime dhe përballuan gjykime, duke u përballur me akuza dhe pretendime të ndërtuara mbi shpifje e propagandë ruse e serbe kundër luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Eprorët dhe udhëheqësit ushtarakë e politikë të UÇK-së, nga vijat e frontit, rrugëtuan drejt marrëveshjeve me forcat aleate në Rambuje. Aty u bë edhe më e qartë para botës e vërteta për agresionin dhe luftën e drejtë të popullit tonë për liri.

Kosova fitoi një aleat të fuqishëm në krahun e saj: NATO-n. Ajo filloi luftën nga ajri, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftonte nga toka, me një qëllim të vetëm: ta dëbonte njëherë e përgjithmonë agresorin nga trojet tona.

Prandaj, nesër duhet të jemi të bashkuar!

Pa anime politike, pa dallime fetare, pa ndarje krahinore. Të bashkohemi si një komb i vetëm shqiptar, nga të gjitha viset ku jetojmë.

T’i tregojmë botës se shqiptarët dinë të bashkohen në momentet vendimtare, se dimë ta mbrojmë drejtësinë dhe se lufta çlirimtare e Kosovës ishte luftë e drejtë për liri.

Nesër duhet të dërgohet një mesazh i qartë:

Populli e bëri luftën, populli e fitoi lirinë dhe populli shqiptar i mbron vlerat e luftës së tij çlirimtare dhe luftëtarët e lirisë.

Nuk ka asnjë arsye që nesër të jetë një ditë e zakonshme pune. Nesër duhet të jetë një ditë bashkimi, një ditë për të mbrojtur vlerat tona kombëtare dhe për të dëshmuar se nuk harrojmë sakrificën e atyre që ranë për lirinë tonë.

Të gjithë bashkë, pa dallime dhe pa përçarje.

Për Kosovën, për lirinë dhe për të vërtetën!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lulëzim Etemaj, një nga themeluesit e Lëvizjes për Pajtimin e…