ShBA-ja fiton për herë të pestë Kupën e Botës

14 shtator 2026 | 08:30

ShBA-ja ka vazhduar dominimin në basketbollin ndërkombëtar për femra, duke fituar për herë të pestë radhazi Kupën e Botës.

Amerikanet triumfuan 97-79 ndaj Francës në finalen e zhvilluar të dielën në Berlin të Gjermanisë, duke siguruar medaljen e artë pas një rikthimi të jashtëzakonshëm në pjesën e dytë.

Franca e nisi më mirë takimin dhe arriti të krijojë një epërsi prej 14 pikësh, duke e vendosur ShBA-në në vështirësi. Megjithatë, skuadra amerikane reagoi fuqishëm pas pushimit dhe përmbysi plotësisht rrjedhën e ndeshjes, duke marrë një fitore bindëse.

Kjo ishte një tjetër përballje mes ShBA-së dhe Francës në një finale madhore. Dy skuadrat ishin përballur edhe në finalen e Lojërave Olimpike të Parisit në vitin 2024, kur amerikanet kishin triumfuar me vetëm një pikë, 67-66.

Protagoniste kryesore e suksesit të ShBA-së ishte Breanna Stewart, e cila realizoi 22 pikë dhe 10 kërcime, duke regjistruar një double-double, ndërsa shtoi edhe katër asistime.

Stewart fitoi titullin e katërt të Kupës së Botës në karrierë dhe u shpall MVP-ja e turneut, duke marrë këtë çmim për herë të dytë në këtë kompeticion.

“Jam vërtet krenare me lojtaret tona, ato ia dolën ta përfundojnë këtë punë. Në momentet më të rëndësishme, ato vazhdojnë të luajnë në nivelin e tyre më të mirë”, deklaroi trajnerja e ShBA-së, Kara Lawson.

Stewart theksoi se suksesi ishte rezultat i punës së një grupi të veçantë lojtare.

“Kam qenë me fat që kam luajtur me shumë lojtare të jashtëzakonshme dhe ky grup ishte vërtet i veçantë. Mënyra se si u vumë në provë, si në parket ashtu edhe jashtë tij, dhe mënyra se si vazhduam të përballeshim me gjithçka, më bën shumë krenare për to”, u shpreh ajo.

“Ne jemi standardi. Kështu ka qenë gjithmonë. Dhe po vazhdojmë ta bëjmë këtë, veçanërisht me këtë medalje të artë. Nuk duhet ta harrojmë këtë. Gjithmonë ka të bëjë me ne”, përfundoi Stewart.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rënia e numrit të nxënësve po i çon drejt mbylljes…