Sot vazhdon gjykimi ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, prokuroria pretendon dëm rreth 37 milionë euro
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të vazhdojë sot shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, dhe të akuzuarit Isuf Zejna.
Procesi zhvillohet në Departamentin Special, para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Rrahman Beqiri.
Krasniqi po përballet me akuzat për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Zejna akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, veprimet për të cilat akuzohen dyshohet se i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 37 milionë eurosh.
Në këtë çështje penale ishte përfshirë edhe ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Prokurimit në KEK, Ymer Dragusha. Ai ka arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë, të cilën Gjykata e ka aprovuar. Shpallja e aktgjykimit ndaj tij është shtyrë deri në përfundimin e tërësishëm të procesit.
Në seancën fillestare, Krasniqi dhe Zejna ishin deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë.



