Verdikti i Hagës i mbledh Policinë, KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën Amerikane dhe Zyrën e BE-së, prezantohen masat për të mërkurën
Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të sigurisë lidhur me zhvillimet e parapara për 16 shtator, kur pritet të shpallet verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Policia ka bërë me dije se ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për garantimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit publik.
“Policia e Kosovës, lidhur me zhvillimet e parapara për datën 16 shtator, ku pritet të merret verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që parashihen”, ka njoftuar policia.
Njoftimi i plotë i policisë:
Policia e Kosovës ndërmerr masa të sigurisë përgjatë aktiviteteve dhe zhvillimeve që ndërlidhen me datën 16 shtator
Policia e Kosovës, lidhur me zhvillimet e parapara për datën 16 shtator, ku pritet të merret verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që parashihen.
Sipas praktikave të mëhershme të ndërtuara, me qëllim të mirëmbajtjes dhe avancimit të partneritetit, kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete apo tubime publike, menaxhmenti i PK-së mban takime informuese dhe koordinuese me drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorët e drejtorive rajonale, përfshirë edhe takime me partnerë ndërkombëtarë, si: KFOR, EULEX, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, Zyra e BE-së dhe OSBE-ja. Një takim i tillë u mbajt edhe sot në Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së, ku u prezantua plani dhe angazhimet policore lidhur me zhvillimet e parapara që ndërlidhen me datën 16 shtator.
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente. Varësisht nga aktivitetet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktivitetet, andaj Policia e Kosovës ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative.
Policia e Kosovës iu bën thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktivitetet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt, pasi planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në rastet kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete, apo pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, hartimi dhe implementimi i planeve policore janë pjesë e procedurave të rregullta policore, që shërbejnë në interes të sigurisë së përgjithshme.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim, siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritete të Policisë së Kosovës. Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend.



