Kurti: Me Ligjin për Specialen s’bëjmë mrekulli, nëse nuk votohet presidenti shkojmë menjëherë në zgjedhje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media pas një takimi me grupin parlamentar të LV-së, ka thënë se gjetja e një zgjidhjeje për presidentin dhe shmangia e zgjedhjeve është çështje jetike.
Kurti ka thënë se nuk do të bëhej ndonjë mrekulli nëse do të votohej një projektligj, ndërsa ka theksuar se gjendja do të rëndohej edhe më shumë nëse vendi do të shkonte në zgjedhje brenda orëve.
“Çështjen e dënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë ne asnjëherë s’e kemi ndërlidhur as me çështjen e presidentit. Janë tema të ndara, por janë tema që e tejkalojnë një parti. I tejkalojnë të gjitha partitë. Janë çështje të interesit të përbashkët kombëtar. Ne besojmë në korrigjim në Apel dhe, në anën tjetër, në një strategji për ta fituar këtë betejë. Por s’mund t’i mohojmë pengesat drejt atij synimi, e që i kemi të gjithë së bashku. Çështja e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re. Moszgjedhja na çon në zgjedhje dhe na pamundëson që të merremi me strategjinë kombëtare, por edhe me Apelin, i cili është shumë i ngushtë. S’do të mund të merremi me Apelin në vitin e ardhshëm, duhet të merremi këtë muaj”, ka deklaruar Kurti.
“Në këto rrethana është emergjente çështja e presidentit. Që ta heqim këtë presion mbi shtetin, që ta kemi të gjithë mendjen dhe vëmendjen te mbrojtja e luftës sonë për liri”, ka thënë ai.
“Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë në burg në Hagë. Janë dënuar në shkallë të parë. Ndërkohë, në mesnatë mund të shkojmë në zgjedhje sikur nuk ka ndodhur asgjë. Çështja atje merr kohë, angazhim dhe do nerva. S’do të bëjmë kurrfarë mrekullie brenda natës pse votojmë një projektligj. Ndërkaq, si për ta bërë edhe më të rëndë, ne shkojmë brenda orës në zgjedhje nëse s’votohet presidenti”.
“Është paradoksale të thuhet se s’ka temë më të rëndësishme sesa mbrojtja e UÇK-së e ta çosh vendin në zgjedhje. Pengesa e parë që duhet të hiqet është çështja e presidentit”, ka deklaruar Kurti.



