Meidani për aktgjykimin e Speciales: Ka të bëjë me përgjegjësi individuale, nëse ka të tilla – ligji, çështje sovrane e Kosovës
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Denion Meidani, ka deklaruar se Shqipëria do të vazhdojë t’i mbështesë qytetarët e Kosovës dhe procesin e apelit në Hagë, duke theksuar se karakteri çlirimtar i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të vihet në dyshim.
Para deputetëve të Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Meidani ka nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së maturisë edhe pas aktgjykimit të shkallës së parë, ndërsa ka theksuar se procesi i apelit duhet të ndiqet si proces ligjor.
“Ne qartazi qëndrojmë pranë qytetarëve të Kosovës, mbështesim plotësisht procesin e apelit që duhet ndjekur si proces ligjor, me bindjen e palëkundur se karakteri çlirimtar i luftës së UÇK-së nuk mund të vihet në dyshim”, është shprehur Meidani.
Ai ka theksuar se vendimet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë çështje sovrane e Kosovës dhe se Shqipëria do ta ndjekë këtë proces në koordinim të ngushtë me partnerët strategjikë.
“Për sa i përket Hagës, nuk më cituat siç duhet. Ajo që unë thashë, dhe e kam thënë edhe publikisht, duke mbajtur qëndrim për këtë çështje, është se kjo frymë maturie do të kërkohet edhe pas aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë. Ne qartazi qëndrojmë pranë qytetarëve të Kosovës, mbështesim plotësisht procesin e apelit që duhet ndjekur si proces ligjor, me bindjen e palëkundur se karakteri çlirimtar i luftës së UÇK-së nuk mund të vihet në dyshim. Karakteri çlirimtar i luftës së UÇK-së! Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë vendim sovran i tyre dhe shprehin vullnetin popullor, siç shihet edhe nga ajo që po përcillet në media. Ne do t’i ndjekim këto zhvillime në koordinim të ngushtë me partnerët tanë strategjikë. Një gjë duhet thënë qartë: aktgjykimi ka të bëjë me përgjegjësi individuale, nëse ka të tilla”, ka deklaruar ambasadori.
Gjatë fjalës së tij, Meidani është ndalur edhe te marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, duke evidentuar problematikat në zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe dhe atyre të CEFTA-s. Ai ka thënë se nevojitet angazhim i vazhdueshëm diplomatik, si dhe më shumë mbështetje nga Tirana zyrtare për ambasadat shqiptare.
Sa i përket lobimit në organizatat ndërkombëtare dhe njohjes së Kosovës, Meidani ka theksuar rëndësinë e koordinimit me kolegët në vendet e Bashkimit Evropian. Ai ka propozuar gjithashtu përdorimin e metodave të reja të komunikimit dhe fushatave të marrëdhënieve me publikun, me synimin për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në BE.
Sipas tij, forcimi i kapaciteteve diplomatike, përmes shtimit të personelit dhe fondeve, është i rëndësishëm për përballimin e sfidave të integrimit evropian dhe mbështetjen e interesave shqiptare në rajon.



