Kurti takon nënsekretarin britanik, diskutojnë për Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në Shën Stefan me nënsekretarin parlamentar të shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme britanike, Lord Wood of Anfield, me ç’rast ka vlerësuar lart marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka theksuar se takimi pason bisedat e zhvilluara gjatë dy muajve të fundit me të dërguarën e posaçme për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, si në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ashtu edhe përmes telefonit.
Kreu i Qeverisë ka nënvizuar rolin historik dhe të vazhdueshëm të Londrës në mbështetje të shtetësisë së Kosovës.
“Mbretëria e Bashkuar ka qenë mike dhe aleate kyçe në çdo etapë të zhvillimit tonë, nga çlirimi dhe pavarësia deri te demokracia e sotme, dhe mbetet ndër zërat më të fuqishëm për integrimin tonë euroatlantik”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se, me konsolidimin dhe funksionimin e plotë të institucioneve, vëmendja kryesore është përqendruar te reformat dhe zhvillimi ekonomik, me fokus të veçantë në zgjerimin e bashkëpunimit me Britaninë e Madhe, nga fusha e mbrojtjes deri te organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.



