Spanca prezanton raportin e auditimit për vitin 2025: Borxhi shtetëror kalon 1.8 miliardë euro

23 tetor 2026 | 15:29

Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Vlora Spanca, ka prezantuar Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025, duke evidentuar përmirësime në cilësinë e raportimit financiar, por edhe mangësi në klasifikimin e shpenzimeve, menaxhimin e pasurive dhe raportimin e detyrimeve financiare të institucioneve publike.

Gjatë prezantimit të raportit, Spanca ka bërë të ditur se ZKA-ja ka dhënë opinion të kualifikuar për raportin financiar të Qeverisë, duke identifikuar pesë çështje kryesore që kanë ndikuar në këtë opinion.

Sipas saj, raportimi financiar ka shënuar përmirësime ndër vite dhe është në përputhje me standardet dhe kornizën përkatëse ligjore. Megjithatë, ajo ka theksuar se mbeten fusha që kërkojnë ndërhyrje dhe forcim të kontrolleve të brendshme.

Një nga çështjet kryesore të evidentuara në raport është klasifikimi joadekuat i shpenzimeve, i cili ka shkaktuar probleme në raportimin e transaksioneve dhe pasqyrimin e saktë të gjendjes financiare të institucioneve publike.

Sipas Spancës, një pjesë e këtyre mangësive lidhet me pagesat e realizuara në bazë të vendimeve gjyqësore, përfshirë detyrimet që burojnë nga kontratat kolektive në nivel komunal.

“Çështjet kryesore që kanë ndikuar në opinionin e auditimit lidhen me klasifikimin joadekuat të shpenzimeve, në vlerë prej 77.4 milionë eurosh. Kjo ka ndodhur si rezultat i pagesave të bëra me vendime gjyqësore, në vlerë prej 58 milionë eurosh, nga kategori joadekuate buxhetore, kryesisht për qëllime të përmbushjes së detyrimeve nga kontratat kolektive në nivel të komunave. Përkundër faktit se Ministria e Financave ka mundësuar planifikimin e mjeteve në kategorinë rezervë për të shmangur klasifikimin joadekuat, kjo nuk është respektuar nga komunat”, ka thënë ajo.

Spanca ka theksuar se janë evidentuar edhe raste të tjera të keqklasifikimit, të lidhura me planifikimin joadekuat të buxhetit dhe veprimet e vetë organizatave buxhetore.

“Keqklasifikimi tjetër ka ndodhur si pasojë e buxhetimit joadekuat, në vlerë prej 4.5 milionë eurosh, si dhe keqklasifikimi i ndikuar nga vetë organizatat buxhetore, në vlerë prej 40.4 milionë eurosh. Çështjet e tjera që kanë ndikuar në kualifikimin e opinionit janë mbivlerësimi i pasurive në vlerë prej 33.5 milionë eurosh, nënvlerësimi i llogarive të arkëtueshme në vlerë prej 4.4 milionë eurosh, mbivlerësimi i detyrimeve të papaguara në vlerë prej 2.8 milionë eurosh dhe mbivlerësimi i detyrimeve kontingjente në vlerë prej afro 30 milionë eurosh”, ka thënë Spanca.

Ajo ka vlerësuar se këto mangësi dëshmojnë nevojën për përmirësimin e kontrolleve të brendshme në organizatat buxhetore, me qëllim të rritjes së saktësisë dhe besueshmërisë së raportimit financiar.

Duke folur për treguesit kryesorë fiskalë, Spanca ka bërë të ditur se deficiti buxhetor gjatë vitit 2025 ka qenë brenda kufijve të përcaktuar me ligj.

Sipas raportit, deficiti i përgjithshëm i planifikuar ishte 224 milionë euro, apo 2 për qind e Bruto Produktit Vendor (BPV), ndërsa pas realizimit përfundimtar të buxhetit rezultoi dukshëm më i ulët.

“Sa i përket deficitit buxhetor, gjatë vitit 2025 ai ishte brenda limiteve të përcaktuara ligjore. Deficiti i përgjithshëm i planifikuar ishte 224 milionë euro, ose 2 për qind e BPV-së, ndërsa sipas realizimit final të buxhetit, deficiti ishte rreth 7.8 milionë euro, ose 0.07 për qind e BPV-së”, ka thënë Spanca.

Ajo ka bërë me dije se borxhi i përgjithshëm shtetëror në fund të vitit 2025 ka arritur në mbi 1.8 miliardë euro, duke shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.

“Borxhi i përgjithshëm shtetëror në fund të vitit 2025 arriti vlerën prej mbi 1.8 miliardë eurosh, që krahasuar me vitin paraprak shënon një rritje prej 80 milionë eurosh, apo 4.6 për qind. Borxhi i jashtëm është 856 milionë euro, kurse ai i brendshëm është 961 milionë euro”, ka thënë auditorja e përgjithshme.

Sipas saj, në raport me BPV-në, borxhi shtetëror vazhdon të jetë në nivel relativisht të ulët.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Eron Elezaj shpall të pavlefshme dëftesat e klasës VI-IX të…