“Ndërhyn Melania Trump”, Shtëpia e Bardhë njofton për armëpushim humanitar në Oleshki të Ukrainës
Ukraina dhe Rusia janë pajtuar për një armëpushim në Oleshki, njoftoi administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 23 tetor.
Sipas njoftimit, marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e zonjës së parë të SHBA-së, Melania Trump.
Të dyja vendet janë pajtuar që përkohësisht të ndërpresin të gjitha veprimet luftarake në Oleshki, “për të mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare dhe për të përgatitur evakuimin e civilëve përmes një korridori të caktuar të sigurt”, u tha në njoftim.
Pritet që armëpushimi lokal të nisë më 29 tetor.
Përmes një deklarate, Melania Trump e cilësoi situatën në Oleshki kritike, duke kujtuar se atje kanë mbetur civilë, kryesisht të moshuar, të cilët kanë nevojë për ndihmë mjekësore, ilaçe, ushqim dhe ujë të pastër.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, zonja e parë, në cilësinë e saj zyrtare, “i nisi negociatat me të dyja palët dhe koordinoi objektivat, procedurat teknike, orarin, proceset e punës dhe kushtet e kësaj marrëveshjeje”.
Parashihet që përfaqësues civilë të Rusisë dhe Ukrainës “t’i vizitojnë së bashku banorët e Oleshkit në shtëpitë e tyre, për të përcaktuar se për çfarë ndihme kanë nevojë konkretisht”. Ata që dëshirojnë të evakuohen do t’u ofrohen mbështetje dhe transport. Trump sugjeroi se “disa mund të dëshirojnë të shkojnë në Rusi, ndërsa të tjerë në Ukrainë”.
Administrata e presidentit amerikan shtoi gjithashtu se misionin do ta shoqërojë një organizatë e pavarur mediatike amerikane, emri i së cilës nuk është bërë i ditur.
Deri më tani, Ukraina dhe Rusia nuk kanë njoftuar zyrtarisht për një armëpushim humanitar. Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë i është drejtuar me një kërkesë për koment koment Avokatit të Popullit të Ukrainës, Dmytro Lubinets.
Pak ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të partisë Shërbëtori i Popullit, Davyd Arakhamia, paralajmëroi një “lajm të mirë” lidhur me krizën humanitare në Oleshki, që ndodhet në rajonin e Hersonit.
Oleshki u okupua nga Rusia në ditët e para të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022. Qyteti ndodhet në bregun e majtë të lumit Dnipro, i cili aktualisht përbën një kufi natyror mes pjesës së lirë dhe asaj të pushtuar të rajonit të Hersonit.
Sipas Administratës Ushtarake Rajonale të Hersonit, në Oleshki kanë mbetur rreth 2.000 njerëz, mes tyre afër 50 fëmijë. Administrata pretendon se forcat ruse pengojnë dërgimin e ndihmave dhe, në praktikë, ua mohojnë banorëve mundësinë për t’u larguar nga qyteti.
Përpjekja e organizatave ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje me autoritetet ruse për evakuimin e civilëve nga qyteti i pushtuar deri më tani nuk ka dhënë rezultate./REL/



