Presidentja Shiroka Pula takohet me homologun hungarez, kërkon mbështetje për integrimin evropian

23 tetor 2026 | 20:02

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, është pritur në takim nga Presidenti i Hungarisë, András Baka, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin evropian të Kosovës, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet e sigurisë në rajon.

Gjatë takimit, Shiroka Pula vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke rikujtuar se Hungaria ishte ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës, më 19 mars 2008.

Ajo shprehu interesimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, veçanërisht në fushat e ekonomisë, arsimit dhe mbrojtjes.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, presidentja theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i Kosovës.

Në këtë drejtim, ajo kërkoi mbështetjen e Hungarisë për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat dhe për hapat e mëtejshëm të procesit integrues.

Shiroka Pula shprehu gjithashtu mirënjohjen për kontributin e Hungarisë në misionin e KFOR-it në Kosovë, duke vlerësuar rëndësinë e tij për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend.

Në përfundim të takimit, presidentja e Kosovës e ftoi homologun hungarez, András Baka, për një vizitë në Kosovë, në një kohë të përshtatshme për të dyja palët.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e presidentes së Kosovës, Justina…